32 raste të hapura për shmangie nga tatimi

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se përmes aktiviteteve të zhvilluara në parandalimin dhe luftimin e ekonomisë jo-formale, ka rënë niveli i ekonomisë jo-formale dhe është rritur niveli i të hyrave

Lajme

16/02/2018 11:56

Sipas njoftimit të ATK-së gjatë vitit 2017 nga Departamenti i  Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës janë realizuar 338 aktivitete për verifikim të shmangieve tatimore, si dhe janë kryer 5 bastisje.

ATK po ashtu ka njoftuar se janë hapur 32 raste për hetime tatimore dhe janë zhvilluar 266 intervista me të dyshuar dhe dëshmitarë për shmangie nga tatimi.

“Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës ka kryer 22 raporte të kontrollit dhe gjatë kësaj periudhe rezultatet nga shmangia tatimore janë realizuar në vlerë prej 667,014.00 euro pa ndëshkime dhe interesa”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Administrata Tatimore ka ftuar të gjithë bizneset dhe qytetarët që ushtrojnë çfarëdo aktiviteti afarist, t`u përmbahen kërkesave ligjore në fuqi, të deklarojnë dhe paguajnë me kohë tatimet sipas ligjeve në fuqi, në mënyrë që mos të jenë pjesë e masave ndëshkuese penale, të konfiskimit dhe sekuestrimit te pasurisë.

ATK-ja më herët ka bërë të ditur se do të publikojë emrat e borxhlinjve./Kallxo.com