31 raste të dhunës seksuale, këto janë dënimet e parapara

Në vitin e kaluar në Policinë e Kosovës janë raportuar 31 raste të dhunës seksual dhe 46 raste sulm seksual.

Lajme

18/02/2019 23:26

Në vitin 2018, në tërë Kosovën janë raportuar 31 raste të dhunës seksuale.

Në bazë të statistikave që Policia e Kosovës i ka dhënë lajmi.net, po ashtu gjatë vitit që e lamë pas janë raportuar edhe gjashtë raste të tentim dhunimit.

Sipas Policisë së Kosovës, 46 femra kanë qenë pre e sulmit seksual.

Për këto vepra penale parashihen edhe dënime të ashpra.

Në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të gjithë kryerësit e këtyre veprave do të ballafaqohen me dënim me burgim.

Në bazë të Nenit 230 “Dhunime”,  të Kodit Penal të Kosovës, kushdo që e detyron një person që të kryejë akt seksual pa pëlqimin e tij dënohet me burgim prej dy deri në 10 vjet, raporton lajmi.net.

Po ashtu për personat që kryejnë sulm seksual parashihen sanksione ligjore.

Në bazë të nenit 232 “Sulmi seksual”, i Kodit Penal të Kosovës thuhet se kushdo që prek personin tjetër me qëllim seksual ose e nxit personin të prekë kryesin apo personin tjetër për qëllim seksual, pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

KËTU, mund ta gjeni se çfarë parashikon Kodi Penal i Kosovës për veprat “Dhunime” dhe “Sulm seksual”. /Lajmi.net/