300 kosovarë në zonat e konfliktit, 50 të vrarë

Ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean Claude Schlumberger ka deklaruar se shoqëritë gjithandej botës po përballen me ekstremizmi dhe radikalizmin, prandaj duhet të ndërtohen ura që të luftohen këto sfida në mes komuniteteve, institucioneve dhe shteteve të rajonit.

Lajme

15/12/2015 11:51

Ai në diskutimin për ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin që shpie në terrorizëm, sfidat dhe roli potencial i KKSB-ve, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme me kryetarët e komunave , ka thënë se pjesëmarrja e qytetarëve kosovar në ISIS është një sinjal që duhet të ndalet më shpejtë.

“Luftimi i ekstremizmit kërkon një qasje unike, si policia, OJQ-ve, mediat dhe familja. Këto të gjitha luajnë një rol të rëndësishëm për parandalim e kësaj dukurie”, tha ai.

Kurse, Luan Kekaj tha se parandalimi dhe luftimi i ekstremizmit nuk mund të arrihet vetëm me një qasje policore por kjo bëhet edhe me një qasje ndërinstitucionale.

“Me gjithë faktin se qytetarët e Kosovës kanë rezistuar këtyre dukurive, prapë se prapë një numër i të rinjve iu janë bashkuar luftës në Irak. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës numri i kosovarëve në periudha të ndryshme e që kanë udhëtuar në zonat e konfliktit janë 300, ku 50 janë deklaruar të vrarë”, ka thënë ai.