30 ditë paraburgim për personin që grushtoi ish-kryetarin e OVL-së në Gjilan

Gjykata Themelore në Gjilan, i ka caktuar masën e paraburgimit personit që sulmoi ditë më parë Ahmet Dakun, ish-kryetarin e OVL të UÇK-së në Gjilan.

Lajme

29/11/2018 09:39

Ish-kryetari i Veteraneve të Luftës së UÇK-së në Gjilan, Ahmet Daku, njëherësh anëtar i Komisionit Shtetëror për Verifikimin Statusit të Veteranëve, ishte sulmuar nga një person me datë 27 nëntor të këtij viti, shkruan lajmi.net.

Pas këtij sulmi fizik, i dyshuari është arrestuar ndërkaq sot, Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej tridhjetë(30) ditëve të pandehurit N. H.

“I pandehuri dyshohet se me datë 27.11.2018, hynë në zyrën e A. D., duke kërkuar sqarime për refuzimin e kërkesës për statusin e veteranit të UÇK-së, dhe pas disa ofendimeve, i pandehuri sulmon me grushte të dëmtuarin A. D., me ç’rast është dashur të marr trajtim mjekësor”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.

Ndryshe Ahmet Daku, është Inspektori i Fatkeqësive Natyrore dhe Fatkeqësive Tjera në Drejtorin për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Gjilanit. /Lajmi.net/