30 ditë paraburgim për personin që e detyroi të dashurën të abortonte

Gjykata Themelore e Gjilanit i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për personin që detyroi të dashurën të abortonte.

Lajme

14/02/2019 14:28

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditësh të pandehurit Sh. H., shkruan lajmi.net.

Siç bëhet e ditur në njoftim, i pandehuri dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar presion dhe dhunë psikologjike tek bashkëjetuesja A. R., në mënyrë që të marr vendimin për abortimin e fëmijës.

“Me këto veprime i pandehuri Sh. H. ka kryer veprat penale,shtrëngimi dhe shtytja në kryerjen e veprës penale ndërprerja e palejuar e shtatzënisë, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që po të caktohej ndonjë masë më e butë, i pandehuri mund të ndikonte tek dëshmitarët.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. /Lajmi.net/