3 milionë euro për vetura të reja

Tre milionë janë planifikuar të shpenzohen për blerje veturash luksoze si nga Qeveria, institucionet e pavarura dhe nga niveli lokal- komunat.

Lajme

08/12/2013 08:40

Luksi i institucioneve qendrore dhe lokale s’ka të ndalur, me gjithë gjendjen e rëndë sociale që ekziston në Kosovë.

Meraku i pushtetarëve për t’u shëtitur me vetura të shtrenjta do t’i kushtojë hiç më pak se 3 milionë euro Buxhetit të Kosovës për vitin 2014.

Këto tre milionë janë planifikuar të shpenzohen për blerje veturash luksoze si nga Qeveria, institucionet e pavarura dhe nga niveli lokal- komunat, raporton Kosova Sot.

Kuvendi i Kosovës i ka paraparë 30 mijë euro për blerje veturash vitin që vjen. Sipas projektbuxhetit që e ka miratuar Qeveria e Kosovës për vitin që vjen, planifikohet që ekzekutivi, respektivisht Ministria e Punëve të Jashtme, të shpenzojë për blerje të veturave 460 mijë euro.

Prokuroria e Kosovës kërkon 95 mijë euro për vetura kurse KGJK’ja 50 mijë euro. Për nevoja të parkut të automjeteve të Doganës është paraparë shuma prej 160 mijë eurove. Për veturatë Agjencisë Kosovare për Mbrojtjen e Mjedisit janë miratuar 50 mijë euro. Me vetura të reja mund të pajiset edhe Inspektorati Policor i Kosovës, sepse për blerje janë paraparë 100 mijë euro, kurse për Policinë e Kosovës për blerje të automjeteve parashihen 1 milion e 540 mijë euro.