3.5 milionë euro pajisje moderne për QKUK-në, ministri Ismaili dorëzon kontigjentin e parë

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka bërë doërzimin e kontigjentit të parë të pajisjeve të reja të blera për të gjitha klinikat e QKUK-së.

Lajme

03/09/2018 10:36

Shuma totale e pajisjeve të cilat do të blihen brenda këtij viti kap vlerën e 3.5 milionë eurove, ndërsa sot në QKUK janë dorëzuar dhjetëra pajisje të cilat kanë qenë me prioritet për klinikat.

Shumë prej këtyre pajisjeve kanë munguar prej vitesh në QKUK, e disa të tjera nuk kanë ekzistuar asnjëherë.

Histeroskop, thika ultrasonografike, monitorë për pacientë, ultrazëra, Gastroskop, Kolonoskop, EKG, Pacemaker, Aspiratorë, nxemse për pacientë e shumë pajisje të tjera.

Ministri Uran Ismaili, me këtë rast, ka thënë se me blerjen e këtyre pajisjeve synohet modernizimi i QKUK-së dhe ofrimi i shërbimeve në institucionet publiket shëndetësore për qytetarët tanë.

“Nga viti 2012 në QKUK nuk janë blerë pajisje në këtë masë. Rrjedhimisht, në mungesë të pajisjeve, shumë shërbime nuk janë bërë më këtu dhe qytetarët janë orientuar nëpër klinikat private. Me blerjen e pajisjeve të reja, ne po rifunksionalizojmë shërbimet në spitalet publike, po mbrojmë qytetarët nga varfëria dhe po rikthejmë besimin te institucione tona”, ka thënë ministri Ismaili.

Ai ka shtuar se ky është vetëm kontigjenti i parë dhe se do të ketë edhe disa të tillë, duke vazhduar kështu deri në modernizimin e aparaturës në QKUK.

Deri në fund të këtij viti pritet që të vijnë edhe qindra shtretër me dyshekë, tavolinat operative, CT-ja e re, lampa operative etj.