26 demokratë bojkotojnë Donald Trump

Numri i ligjvënësve demokratë në Kongres, që kanë vendosur të bojkotojnë inaugurimin e Donald Trump të premten, sa vjen e rritet.

Bota

16/01/2017 23:42

Lista e bojkotuesve ka shkuar në 26 përfaqësues demokratë që kanë deklaruar publikisht se nuk do të marrin pjesë.

Tek disa prej tyre, vendimi është marrë pas sulmit të Trump ndaj John Lewis, një aktivist i zëshëm i të drejtave të njeriut në SHBA.

“Vetëm fjalë, fjalë, fjalë, asnjë gjë konkrete!”, kështu do ta shigjetonte Presidenti i zgjedhur, aktivistin në një nga postimet e tij në rrjetin social Twitter.

I fundit që njoftoi bojkotin ishte përfaqësuesi i Kalifornisë, Ted Lieu.

“Për mua, vendimi im personal për të mos qenë i pranishëm në ditën e inaugurimit është i thjeshtë; a jam me Donald Trump apo mbështes John Lewis? Unë zgjedh John Lewis”, tha ai.

Luis Gutierrez, përfaqësues i Ilinoisit, ishte i pari kongresmen që deklaroi në dhjetor se nuk do të merrte pjesë në inaugurimin e Donald Trump.