25 vjet nga nisma për pajtimin e gjaqeve

Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çettës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.

Lajme

02/02/2015 08:23

Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë. 

Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes Gjithëkombëtare si përgjigje Millosheviqit për vetëemërimin si lider i të gjithë serbëve në Fushë Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i pa evitueshëm.

Kjo lëvizje u emërua si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe se kryetar u zgjodh Dr.Ibrahim Rugova. Ai kishte pranë vetes edhe njerëz të njohur si atdhetar. Askush nuk luftonte për bajraktarizëm por për atdheun.

Kjo rini pa hezitim timonin e pajtimit ua dhuroi Prof. Anton Çettës dhe profesorëve tjerë nga Instituti Albanologjik, intelektualëve kudo që gjendeshin, akademikëve, punëtorëve e fshatarëve, aktivistëve nga mbar trojet tona etnike.

Njerëzit në atë kohë në krye me Prof. Anton Çettën, marshonin para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh…pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për tu bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin.

Faleshin qindra e mijëra gjaqe, për atdhe, flamur e komb. Kush mundej ti ndalte lotët kur motra falte gjakun e të vetmit vëlla. Kur një falës falte tri e katër gjaqe.

Faleshin për hatrin e atdheut. Në këto tubime madhështore që organizoheshin anë e mbanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit e n´Verra të Llukës, në Shalë e në Karadak, në Llap, Drenicë e Gollak, në Has, Rekë, Podrime, Lapushë, Podgur e Rugovë, Rrafsh i Kosovës dhe kudo, e kudo në viset tjera, tregonte se për popullin tonë e atdheun kishte kris ora më e madhe e historisë sonë.

Vetëdijesimi i mbar një populli ndodhi shpejt dhe se tek të gjithë ishte ngulit ideja kombëtare se gjakmarrja duhet çrrënjosë, ishte e dëmshme dhe trashëgimi të cilën të huajt na e lanë në pragjet tona, dhe se heroinat dhe heronjtë e momentit ishin bërë ata që falnin gjaqet, plagët e ngatërresat.

Falje të gjaqeve vazhdojmë të kemi edhe tani. E fundit ishte dje. Familja Bekteshi nga Hajvalia, ka falur gjakun e të birit, pas pesë vjet hasmërie me familjen Halimi nga Bakshia e Obiliqit. (KosovaPress)