22-vjeçarja nga Skenderaj i kthehet familjes me vetëdëshirë

22-vjeçarja, Arbnora Dobra nga Skenderaj, gjatë ditës së sotme është kthyer në familjen e saj.

Lajme

04/10/2018 14:45

Më 28 shtator të këtij viti Policia e Kosovës kishte marrë informacion se Arbnora Dobra, 22-vjeçare nga Skenderaj ishte zhdukur nga shtëpia e saj një ditë më parë.

Ky lajm kishte tronditur opinionin kosovar dhe Policia me të marrë lajmin kishte filluar kërkimet për 22-vjeçaren.

Tre ditë më vonë, pra me datë 1 tetor, Arbnora Dobra, i kishte lajmëruar familjes së saj se gjendet në Maqedoni.

Mirëpo, drama e familjes Dobra ka marrë fund sot, raporton lajmi.net

22-vjeçarja Arbnora Dobra, sot është kthyer me vetëdëshirë pranë familjes së saj.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti po ashtu ka thënë se gjendja e saj shëndetësore është e mirë dhe se nuk bëhet fjalë për ndonjë presion apo rrëmbim.

“Ajo sot u kthye me vetëdëshirë pranë familjes. Nuk ka ndonjë presion, rrëmbim apo diçka të ngjashme. Gjendja e saj shëndetësore është e mirë dhe gjithçka është në rregull”, ka deklaruar Ahmeti për lajmi.net

Kujtojmë se deri më tani ende nuk dihen shkaqet që e çuan 22-vjeçaren Arbnora Dobra të bëj një veprim të tillë. /Lajmi.net/