2013 vs 2017: Çfarë premtuan partitë atë kohe dhe çka sot?

Katër vite më parë, janë mbajtur zgjedhjet lokale në Kosovë.

Lajme

26/09/2017 16:33

Atë kohë partitë në vend, tubimet elektorale i fillonin dhe përfundonin me tupanë e surla, instrumente këto orientale, ndërsa kudo premtonin shndërrimin e vendbanimeve kosovare në europiane.

Enver Hoxhaj, ish-ministri i Punëve të Jashtme, kur pati shkruar në komunën e Lipjanit, për ta mbështetur Shkuri Bujën, e kishte gojën plotë Europë.

“Shumë njerëz nga Prishtina do të vijnë e të jetojnë në Lipjanin e bukur, i cili i përngjet më shumë Francës sesa dikujt tjetër”, pati thënë Hoxhaj, njofton Klan Kosova.

Ndoshta Hoxhaj ka pasur të drejtë, pasi katër vjet më pas njëri nga restorantet në komunën e Lipjanit e ka ndërtuar Kullën e Eiffel-it, simbolin e Parisit të Francës.

Por të njëjtën ditë kur Hoxhaj e bëri Lipjanin qytet francez, një premtim edhe më të çuditshëm e dha kryetari dhe kandidati i atëhershëm për kryetar të Mitrovicës nga PDK-ja Avni Kastrati, kur krahasoi stadiumin Adem Jashari me Wemblley të Londrës.

“Stadiumi ‘Adem Jashari’ brenda katër vjetëve do të duket sikur ‘Wemblley’ i Londrës”, pati thënë Kastrati gjatë hapjes së fushatës në Mitrovicë.

Kryeministri Thaçi në të njëjtin tubim premtoi 150 milionë euro investime në komunën e Mitrovicës, nëse qytetarët ia besojnë përsëri komunën Avni Kastratit, njofton Klan Kosova.

Thaçi 100 milionë euro investime i kishte premtuar edhe për Prizrenin, nëse ata do ta votonin atë kohë Ramadan Mujën për kryetar.

Premtime të mëdha kishte dhënë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kryetari i atëhershëm i Prishtinës dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, paralajmëroi se do ta ndalojë qarkullimin e automjeteve në pjesën e vjetër të kryeqytetit, për ta ndërtuar një shesh me kalldrëm.

“Në pjesën ku ndodhen disa nga xhamitë kryesore, Muzeu Kombëtar si dhe “Sahatkulla”, do të ndërtohet një shesh me kalldrëm, i cili do të përkufizojë pjesën e vjetër të qytetit”, njofton Klan Kosova.

As njëra, as tjetra edhe sot pas katër vitesh nuk ekzistojnë.

Mimoza Kusari-Lila, e cila edhe tash po kandidon për kryetare të Gjakovës, pati thënë para qytetarëve të saj tha “së bashku do të shohim aeroplanët duke u ngritur dhe ateruar nga Aeroporti i Gjakovës”.

Por siç duket aterimin e vetëm e ka realizuar vetë Mimoza Kusari-Lila, edhe atë në një fluturim pa leje.

Katër vite pas partitë janë kujdesur që muzikën ta kenë më ‘fine’ në fushatat e tyre elektorale, madje të kujdesshëm janë treguar edhe në bërjen e premtimeve, njofton Klan Kosova.

Në gjashtë ditët e para të fushatës partitë janë treguar më cikërrimtarë.

Së paku në këtë fillim-fushate, kandidatët për kryetar të komunave por edhe prijësit e tyre, kanë bërë premtime më të matshme, pa u përmendur miliona dhe projekte të tjera madhore.

Në secilin vend, ata kanë premtuar zhvillim ekonomik, arsimim më të mirë, kujdes të shtuar për shtresat sociale – më pak këto ditë është folur për rininë, kulturën dhe sportin.

Megjithatë fushata sa ka nisur dhe ndoshta premtimet madhore – pritet t’i thonë sa më afër “ditës së vështirë”.