20 mijë euro për vizë false, shkatërrohet grupi kriminal. Mes të arrestuarve, dy policë

Një grup i strukturuar kriminal me 41 shqiptarë e grekë në pranga është shkatërruar nga policia e Tiranës, në bashkëpunim me agjencitë e huaja dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, të cilët falsifikonin viza.

Lajme

15/05/2018 14:38

Hetimet sipas Ardi Veliut, drejtorit të Policisë së Shtetit, kanë nisur që në nëntor të 2016. Gjatë operacionit janë zbuluar 7 laboratorë në Greqi dhe katër në Shqipëri, ku bëhej falsifikimi i dokumenteve.

“Operacioni i koduar “272”, gjatë këtij operacioni të kryer në bashkëpunim me vendet partnere janë arrestuar 41 shtetas shqiptar, grek e kombësive të tjera, mes tyre dy punonjës policie dhe një shtetas i shpallur në kërkim. Ndërkohë u zbuluan dhe sekuestruan 7 laboratorë në greqi dhe 4 në Shqipëri”, bëri të ditur Veliu.

Të arrestuar janë Ilir Myrtaj, Alfred Myrtaj, Mario Myrtaj, Albert Xhelilaj, Gentian Stojku, Florjian Hysenaj, Entela Çala, punonjëse policie, Arjan Uku, punonjës policie, Kledi Beshi, Arben Kadiu, Ismail Alushani, Ylli Gokaj, Aleksandër Leka, Shkëlqim Mema, Qazim Hysko, Rizalba Hotaj, Vera Mehmetaj, gjithashtu u shpall në kërkim L. S., 26 vjeç nga Gjirokastra.

Alfred dhe Mario Myrtaj, si dhe Albert Xhelilaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin bënin falsifikim të dokumentave, duke pajisur persona të ndryshme kundrejt përfitimit monetar dhe material, përmes linjave ajrore kryesisht në SHBA, Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Pasi i pajisnin me dokumente identifikimi të falsifikuara, kundrejt përfitimit monetar u krijonin kushtet në mënyrë të paligjshme të udhëtonin drejt SHBA-së, Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar. Nisja e personave me dokumente të falsifikuara bëhej nga Shqipëria, Mali i Zi, Italia, Greqia, Franca dhe Norvegjia. Gentian Stojku dhe Alfred Myrtaj ishin ndërlidhësit mes dy pjesëve të grupit që vepronin në Shqipëri e Greqi ndërsa Mario Myrtaj ishte korrieri mes tyre.

“Në këmbim për këtë aktivitet të paligjshëm ata merrnin nga personat e trafikuar shuma të konsiderueshme të vlerave monetare që shkonin deri në 20 mijë euro për person. Shtetasit Gentjan Stojku dhe Alfred Myrtaj ishin ndërlidhësit mes dy pjesëve të grupit që vepronte në Shqipëri dhe Greqi. Ndërsa shtetasi Marjo Myrtaj ishte në rolin e korrierit mes tyre. Në këtë veprimtari kriminale është evidentuar përfshirja edhe e dy punonjësve të policisë, Entela Çala dhe Arian Uku, të cilët duke shpërdoruar detyrën kanë kryer veprime korruptive kundrejt shumave monetare, si dhe kanë ndihmuar pjesëtarët e këtij grupi kriminal për zhvillimin e aktivitetit kriminal duke shfrytëzuar të dhënat që dispononin për shkak të detyrës si punonjës policie”, bëri të ditur Veliu.