20 mijë euro për Majlinda Kelmendin

Ministri i Sportit, Memli Krasniqi, do t’i shpërblejë të mërkurën Majlinda Kelmendin dhe trajnerin Driton Kuka, pas suksesit në Kampionatin Evropian të Xhudos.

Sport

27/05/2014 21:44

Majlinda Kelmendi dhe trajneri i saj, Driton Kuka, do të shpërblehen të mërkurën pas suksesit të arritur në Kampionatin Evropian të Xhudos.

Xhudistja pejane, për medaljen e artë të fituar në Evropianin e Montpellierit në Francë, do të shpërblehet me 20 mijë euro.

Ndërkaq, trajneri i saj, Kuka do t’i përfitojë nga shteti 10 mijë euro.

Ndarja e shpërblimeve shtetërore për Majlindën dhe Tonin do të bëhet në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nga ministri Memli Krasniqi.

Shpërblimet për fituesen e medaljes së artë dhe trajnerin ndahen sipas rregullores nr. 15/2013 për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare.