2 milionë euro investime në institucionet arsimore të Drenasit

Komuna e Drenasit edhe këtë vit ka u ka kushtuar një rendësi të veçantë projekteve për ndërtimin e shkollave, renovimin e tyre dhe ndërtimin e terreneve sportive në institucionet shkollore për të krijuar kushte të favorshme dhe zhvillimin e aktiviteteve të sportit për nxënës.

Lajme

13/12/2015 13:47

 

Në kuadër të memorandumit të nënshkruar nga Kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku me Ministrinë e Administratës Publike dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për realizimin e disa projekteve, janë edhe ato për ndërtimin e infrastrukturës shkollore në shkollën e fshatit Korroticë e Lartë, në shkollën e fshatit Gllobar dhe te Kizhnarekës, ndërsa me mjetet e Komunës janë ndërtuar terrenet sportive në shkollën e fshatit Nekoc, Gllanasellë, në Terdec, Gradicë dhe Tërstenik.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Drenasit, Sadik Tahiraj ka thënë se këtë vit, në institucionet arsimore të Komunës sonë janë përmirësuar dukshëm kushtet të cilat do të ndikojnë në rritjen e cilësisë në mësim e po ashtu edhe në aktivitetet sportive.

Tahiraj ka treguar se viti që po lemë, angazhimi i Komunës ka qenë i drejtuar kryesisht në ndërtimin e shkollave, renovimin e tyre dhe ngritjen e terreneve sportive. Para disa muajve ka filluar ndërtimi i shkollës fillore “Hasan Prishtina” në fshatin Llapushnik, projekt i cili do të kushtoj rreth një milion euro dhe pritet të përfundojë vitin e ardhshëm, ndërsa ka përfunduar renovimi i shkollës “Gjeladin Gashi-Plaku” në Komoran, renovimi i shkollës dhe ndërtimi i aneksit “7 Marsi” në Kizhnarekë, renovimi i shkollës “Shaban Polluzha” në Korroticë e Ulët, që po ashtu ky institucion arsimor është bërë edhe më nxehje qendrore, me fushën e futbollit, të volejbollit dhe hendbollit, parkun e shkollës me gjelbërim si dhe mbjelljen e fidanëve, projekt i cili ka kaluar vlerën prej 120 mijë eurove.

Në kuadër të investimeve në shkolla po ashtu është bërë renovimi i shkollës edhe në fshatin Gllobar që po ashtu është bërë edhe me terrene sportive dhe këndin e lojërave rekreative, ndërsa përmirësimi i infrastrukturës shkollore është bërë edhe në shkollën fillore të qytetit “Rasim Kiqina” të vlerës prej 230 mijë euro. Vlera e përgjithshme e investimeve në institucione arsimore në Komunën e Drenasit për vitin 2015 arrin rreth 2 milionë euro.​/lajmi.net