2.5 miliard euro depozita në bankat e Kosovës

Qytetarët dhe bizneset kanë të depozituara në bankat komerciale në Kosovë rreth 2.5 miliard euro. 

Lajme

15/12/2014 13:38

Në 15 vjetorin e themelimit të Bankës Qendrore të Kosovës, u përmendën të arriturat në sektorin bankar në vend, ku u vu në pah një rritje prej dhjetëra për qind, në të gjitha performancat.

Guvernatori i BQK-së, Bedri Hamza, në fjalën e tij, bëri të ditur se depozitat nëpër bankat komerciale kanë arritur vlerën prej 2 miliard e 500 milionë euro, deri sa në vitin 2010 vlera e depozitave ishte vetëm 1 miliard e 96 milionë euro, duke shënuar kështu rritje prej 20%.

Hamza tha se sektori bankar i Kosovës filloi zhvillimin e tij në vitin 2000 me një kapital të bankave komerciale prej 6.2 milionë, ndërsa në vitin 2010 ky kapital u rrit në 230. 4 milionë, dhe 316.9 milionë në 2014. Rritje kjo që llogaritet të jetë në masën 38% vetëm në katër vitet e fundit.