18 marsi, 1999: Dita e parë e Kosovës sovrane

Mënyra se si e shënojmë Konferencën e Rambouilletit, si politikë dhe si shoqëri është një dëshmi rrënqethëse për raportin fare të çrregulluar me historinë tonë.

Lajme

09/02/2017 12:26

Konferenca e Rambouilletit na bie ndër mend vetëm në përvjetorin e saj, me 6 shkurt (me 6 shkurt të vitit 1999 kishte nisë kjo Konferencë, e cila përfundoi me 19 mars në Paris).

Mënyra se si e shënojmë atë, si politikë dhe si shoqëri është një dëshmi njëmend rrënqethëse për raportin fare të çrregulluar me historinë tonë.

Ta zëmë, nëse bëjmë këtu një krahasim të këtillë, interesimi i jonë për Kongresin e Berlinit  (1878) dhe Konferencën e Londrës  (1913), është diku njëqind herë më i madh se sa për Konferencën e Rambouilletit  (1999). Ndërsa dallimi midis Berlinit, Londrës dhe Rambouilletit është shumë i qartë. Berlini dhe Londra neve, si shqiptarë të Kosovës, na bënte humbës të mëdhenj historik dhe politik, apo, na i hapte portat e tragjedive të mëdha. Rambouilleti e zhbënte këtë fat të rëndë, dhe i çelte dyertë e lirisë dhe të fitores.

Konferenca e Rambouilletit nuk meriton (për ne), të ketë as një mbledhje të veçantë, çfarë kemi ta zëmë goxha shpesh, në përkujtim të dëshmorëve të rënë. Për dëshmorë dikush me siguri bëhet sebep, bashkëluftëtarët e tyre, organizatat e veteranëve, familjet tek e mbrama, ndërsa nuk ka të tillë që do të kujdeseshin për Ditën e Rambouilletit.

Konferenca e Rambouilletit në fakt, i ka kaluar të gjitha testet e mundshme sa i përket rëndësisë së saj për ne, si shqiptarë të Kosovës, për shqiptarët në përgjithësi, por edhe për mbarë rajonin që pikërisht në atë vit, do të kornizohej në kuadër të Paktit të Stabilitetit që shihej si mekanizëm që do të përgatisë Ballkanin Perëndimor për përfshirje në Bashkimin Evropian. Kjo do të konfirmohej pak vite me parë, me Samitin e BE-së në Selanik  (2003), në të cilin mori pjesë edhe Kosova  (në kuadër të Delegacionit të UNMIK-ut).

Kulminacioni i Konferencës së Rambuilletit, i cili tek ne harrohet thuaja në tërësi, është 18 marsi  (1999), kur në kuadër të Kapitullit të vazhdimit të kësaj Konference, që ndodhi në Paris, Delegacioni i Kosovës, i përfaqësuar në këtë ceremoni nga Dr.Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Rexhep Qosja dhe Veton Surroi, nënshkruajti Marrëveshjen e Rambouilletit. Ishte ky akti suprem sovran i Delegacionit të Kosovës, i cili pati mbledhë në vete të gjithë krahët e Lëvizjes për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Ai 18 marsi i Parisit, në realitet është data më e rëndësishme e historisë së Kosovës, sepse në vete sublimoi të gjitha etapat e shkuara të rrugëtimit të mundimshëm, të përgjakshëm dhe tragjik të shqiptarëve të Kosovës, sepse pikërisht me këtë nënshkrim, prijësit shqiptarët morën vendimin final që mundësoi çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Pa këtë nënshkrim, pa këtë 18 mars të vitit 1999 në Paris, nuk do të kishte fushatë ajrore të Paktit NATO mbi Serbinë dhe mbi Kosovën, nuk do të kishte 12 qershor të vitit 1999, kur ndodhi çlirimi i Kosovës dhe poashtu, kurrë nuk do të mbërrinim tek 17 shkurti i vitit 2008, kur Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran.

Burimi i kësaj pavarësie dhe i këtij sovranitetit është pikërisht ai 18 marsi i Parisit.

Natyrisht, këtë do të duhej ta dinim të gjithë, nuk do të mbërrinim kurrë as në Kështjellën e Rambouilletit dhe as në Pallatet e Parisit, pa Lëvizjen paqësore për pavarësi në prirë nga Presidenti Rugova, dhe pa Luftën për çlirim të bërë nga UÇK. Ndërsa te këto dy zhvillime sipërore kombëtare shqiptare, nuk do të mbërrinim pa gjithë atë Rezistencë politike dhe ushtarake, që ndër ne ka nisë thuaja menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, e cila për shkaqe të njohura, nuk përfshiu në kufijtë e saj Kosovën dhe trojet tjera me shumicë shqiptare.

Sidoqoftë, edhe ky rekapitulim fare i shkurtër i ngjarjeve të vitit 1999-të, të cilat na bënë të lirë dhe ngadhnjimtarë si popull, duke hapur udhën për mbërritjen tek shteti i Kosovës, tregon se çfarë rëndësie ka Konferenca e Rambouilletit në historinë e Kosovës. Ajo e ka nda këtë histori në dysh: Para dhe pas saj. Para saj, Kosova ka qenë krejtësisht ndryshe, dhe pas saj ajo është bërë e lirë.

Raporti i politikës dhe i shoqërisë kosovare ndaj Konferencës së Rambouilletit kështu na del një paradoks i llojit të veçantë, që do të duhej të tejkalohej një herë e përgjithmonë në vitet vijuese, nëse njëmend e duam shtetin e Kosovës.