17 vite në kërkim ndërkombëtar, maqedonasi i akuzuar për prostitucion kapet në Shqipëri

Policia e Shqipërisë arrestoi me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Rrëmbim personi”.

Lajme

21/10/2018 12:28

“Specialistët e Seksionit për trafikun e paligjshëm në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë arrestimin provizor me qëllim ekstradimi drejt Italisë, të shtetasit në kërkim ndërkombëtar M.H (44 vjeç), banues në fshatin Dobroshtë-Tetovë, (Maqedoni)”, njoftoi Policia e Korçës.

Arrestimi i 44-vjeçarit u bë në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Qafë-Thanë, sepse gjatë verifikimit të dokumentacionit në sistem, shtetasi i mësipërm rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar për 17 vite, pasi Gjykata e Monzës në Itali me vendim penal nr 316/2001 E.S datë 04.06.2001, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për kryerjen e veprave penale të lartëpërmendura, parashikuar nga Kodi Penal Italian. /tvklan.al