163 mijë lëndë të papërfunduara në Gjykata

Mungesa e gjyqtarëve dhe e kushteve për punë pohohet të jetë shkaktari i numrit të madh të lëndëve të papërfunduara që presin me vite në sirtarët e Gjykatave. Gjatë vitit 2013 janë zgjidhur vetëm 151 mijë lëndë nga 315 mijë sa ishin gjithsej.

Lajme

16/01/2014 12:00

Numri i vogël i gjyqtarëve dhe mungesa e kushteve për punë normale në gjykatës kanë ndikuar që një numër i madh i lëndëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mbetën të pazgjidhura.

Kryetari i kësaj gjykate, Hamdi Ibrahimi, tha se të gjitha gjykatat e Prishtinës kanë pasur punë me mbi 315 mijë lëndë, ndërsa prej tyre janë përmbyllur rreth 151 mijë gjatë vitit 2013.

“Administrimi i drejtësisë brenda gjykatës ka rezultuar të përcillet me probleme serioze, që nga janari i vitit 2013 për shkak të mungesës së lokalit për t’u vendosur gjyqtarët, kryesisht ata të departamentit për krime të rënda, gjyqtarët në departamentin për çështje administrative dhe për gjyqtarët e divizonit për kundërvajtje të Gjykatës Themelore në Prishtinë”.

“Departamenti për Krime të rënda, është vendosur në lokalet e Gjykatës Supreme të Kosovës edhe pse në Gjykatën Supreme të Kosovës nuk kishte hapësirë të mjaftuar ndërsa lëndët që ishin në punë janë bartur në kontejnerë të vendosur në KGJK”.

“Gjykata Themelore e Prishtinës në vitin 2013 është përballur me numrin enorm të lëndëve në të gjitha lëmit në përjashtim të Departamentit për Çështje Ekonomike ku numri i lëndëve është shumë më i vogël krahasuar me numrin e lëndëve për gjyqtarë në lëmit tjera”.

“Fakti se çdo gjyqtar në këtë gjykatë përballet me 1000 apo edhe më shumë lëndë në punë në Departamentin e përgjithshëm apo rreth 300 lëndë të rregullta dhe rreth 20-25 lëndë me paraburgim në departamentin për Krime të rënda fletë mjaftë për ngarkesën me punë të gjyqtarëve në këtë gjykatë”.

Departamenti i Krimeve të rënda është sfiduar më së shumti gjatë vitit 2013.

“Për krejt Gjykatat e Prishtinës ju njoftoi se ne kishim me punë 315 mijë e 716 lëndë ndërsa nga to janë përfunduar 151 mijë e 840, e kanë mbetur aktive në të gjithë gjykatën dhe në degë edhe 163 mijë e 876 lëndë”.

“Përjashtuar degët në këtë Gjykatë gjatë vitit 2013 kemi përfunduar në Departamentin e Krimeve të Rënda 578 raste ndërsa kanë mbetur të papërfunduara 2913”.

“Nga çështjet civile lëndë të papërfunduar janë mbi 14 mijë e 573 lëndë, ndërsa janë përfunduar 2887”.

“Ka përparim në drejtim të ekzekutimit të sanksioneve penale. Në vitin 2013 kishim 1302 vendime të ekzekutuara me dënime me burg ndërsa 650 tjera të dënimit me gjobë”.

“Çështjet nga lëmi i kundërvajtjeve zënë numrin më të madh. 68 mijë lëndë të përfunduara, mbesin të papërfunduara 40 mijë 550”.