15 minuta të një Deklarate dhe 15 minuta të Realitetit

Kosova karakterizohet, në përgjithësi, me ngecjen e madhe në ndërmarrjen e bërjes së saj shtet të mirëfilltë evropian dhe perëndimor.

Lajme

03/09/2014 15:57

Diku pesëmbëdhjetë minuta mjaftojnë për tu lexuar Deklarata Përfundimtare e Kryesuesit të Konferencës për Ballkanin Perëndimor, që u mbajt me 28 gusht në Berlin.

Kryesuesi i Konferencës ishte Angela Merkel, Kancelarja e Gjermanisë.

Për kaq pak kohë pra, një çerek ore, secili prej politikanëve të Kosovës mund të merr vesh, nëse ka pak vullnet, çka duhet të ndodhë në Kosovë, në katër vitet e ardhshme, por edhe në rajonin që lidhë nocionet e Ballkanit dhe të Perëndimit  (nocione këto që kanë qenë për dhjetëra vjet në kundërshti të plotë), për ta ndryshuar gjendjen për të mirë, për ta stabilizuar këtë pjesë të Evropës, për ta përgatitë kompletimin e Bashkimit Evropian edhe me shtetet që janë në listë të pritje për anëtarësim në BE, pra, me Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnjë dhe Hercegovinën.

Nuk është rendi, këtë e dinë të gjithë, që në vitin 2018 ndonjëri prej këtyre shteteve njëmend të bëhet pjesë e familjes evropiane. Por me ndryshimet e propozuara, të parashikuara dhe të planifikuara në këtë Deklaratë, shtetet e Ballkanit Perëndimorë do të bëheshin realisht, shtete evropiane në kuptimin e plotë të fjalës. Pak vite më pas, do të mund të përmbyllej procesi i integrimit të këtyre shteteve në BE.

Vetëm pak vite më parë, Gjermania ka qenë shteti më skeptik sa i përket idesë së vazhdimit të zgjerimit të BE-së edhe në Ballkan. Sot, Berlini zyrtar i prinë kësaj ndërmarrjeje, në kohën kur BE-ja ka telashe të shumta, të cilat konfirmojnë çekuilibrin midis fuqisë ekonomike  (përkundër të gjitha problemeve të njohura ekonomike), dhe brishtësisë politike.

Në Deklaratën e Kancelares Merkel, gjinden të gjitha elementet politike, ekonomike, sociale të cilat do t’i duhen Qeverisë së re të Kosovës.

Kushdo që e lexon atë, do të mund të thotë që shumica e formulimeve që kanë zënë vend në këtë Dokument shumë të rëndësishëm, që flet për një përkushtim të qartë katërvjeçarë të Berlinit për Ballkanin Perëndimorë, zihen në gojë prej qeveritarëve dhe politikanëve tonë për çdo ditë të lume.

A nuk flasim ne këndejpari ditë e natë për evropianizimin e Kosovës, në kontekstin e reformës legjislative, politike dhe ekonomike, për ta kualifikuar Kosovën për të qenë e denjë për anëtarësim në BE? A nuk e shajmë 24 orë në ditë korrupsionin, duke aplikuar, me gojë, politikën e tolerancës zero ndaj korrupsionit? A nuk thirremi në domosdoshmërinë e Sundimit të Ligjit, kudo dhe kurdo, si kusht pa të cilin nuk bënë për fuqizimin e shtetit të Kosovës? A nuk bëjmë be që ‘askush nuk duhet të jetë mbi ligjin’? A nuk parashohim, shtatë ditë në javë, zhvillimin ekonomik të Kosovës, i cili do të mundësonte uljen e papunësisë dhe një stabilitet social? A nuk kemi paralajmëruar tash e dhjetë vjet që ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike është domosdoshmëri për Kosovën, gjë që do të duhej të sillte edhe investitorë të huaj në Kosovë?

Me fjalë e me gojë pra, ne nuk kemi fare çka të bezdisemi kur t’i lexojmë detyrat që na janë dhënë neve dhe shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimorë në Deklaratën e Kancelares Merkel. Ta merr mendja që i kemi bërë të gjitha çka duhet.

Një kthim kah realiteti prej secilit prej nesh, i cili poashtu do të bëhej për vetëm pesëmbëdhjetë minuta, do të dëshmonte që ka njëmendësia kosovare është në relacion në përplasjes së vazhdueshme me thuaja të gjitha këto fjalë që u përmendën më parë.

Kosova karakterizohet, në përgjithësi, me ngecjen e madhe në ndërmarrjen e bërjes së saj shtet të mirëfilltë evropian dhe perëndimorë.

Ky konstatim zaten reflekton, midis tjerash, Raportet e shumta ndërkombëtare për Kosovën, duke nisë prej Raportit të rregullt të progresit.

Një tjetër moment shumë i rëndësishëm në Deklaratën e Kancelares Merkel ka të bëjë me zgjidhjen e të gjitha kontesteve dypalëshe midis shteteve të Ballkanit Perëndimorë, ku në mënyrë eksplicite përmendet edhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Edhe këtu vlen korniza kohore katërvjeçare, brenda të cilës, objektivisht, Kosova dhe Serbia mund ta përmbyllin kapitullin e armiqësisë së gjatë historike, dhe mund të nisin kaptinën e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Është diskutuar fare pak, në ditët e kaluara për përmbajtjen e kësaj Deklarate në skenën politike kosovare.

Jemi të zënë, si shoqëri dhe si vend, me punë të tjera.  

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)