14 vjet e 8 muaj burg për xhihadistët shqiptarë dhe italianë

Prokuroria italiane kërkoi 15 vjet burg për grupin e xhihadistëve italo-shqiptar. Gjykata italiane e qytetit të Milanos ka marrë vendimin e gjykimit për 5 nga 10 anëtarët e celulës xhihadiste italo-shqiptare të arrestuar në operacionin “Martesa” më 11 korrik të 2015.

Bota

24/02/2016 14:26

Është ky vendimi i parë gjyqësor i marrë në shtetin italian ndaj personave të akuzuar për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS.

Duke pranuar kërkesën e 5 të akuzuarve për gjykim të shkurtuar e pas përfundimit të seancës dëgjimore të avokatëve të tyre mbrojtës, Gjykata e Milanos nën akuzën e terrorizmit ndërkombëtar e përhapjes së propagandës xhihadiste mori këtë vendim;

Shtetasja shqiptare Arta Kacabuni, tezja e xhihadistit shqiptar në Siri Aldo Kobuzi dënohet me 3 vjet e 8 muaj heqje lirie. Prokuroria italiane kishte kërkuar dënimin me 4 vjet e 2 muaj burg.

Shtetasi shqiptar Baki Çoku, xhaxhai i Aldo Kobuzit dënohet me 2 vjet e 8 muaj burg. Prokuroria italiane kishte kërkuar ndaj tij dënimin me 3 vjet e 2 muaj.

Shtetasja shqiptare Liljana Gjecaj dënohet me 3 vjet burg. Prokuroria italiane kishte kërkuar 2 vjet e 4 muaj heqje lirie.

Shtetasi shqiptar Dritan Gjecaj, bashkëshorti i Liljanës lihet në gjendje të lirë. Prokuroria italiane kishte kërkuar ndaj tij dënimin me 2 vjet e 6 muaj burg.

Shtetasja italiane Marianna Sergio, motra e xhihadistes italiane Maria Giulia Sergio, bashkëshortja e shqiptarit Aldo Kobuzi dënohet me 5 vjet e 4 muaj heqje lirie. Prokuroria italiane kishte kërkuar ndaj saj po 5 vjet e 4 muaj burg.

Shtetasi italian Sergio Sergio, babai i Marianna e Maria Giulia, i cili nuk ka kërkuar një gjykim të shkurtuar do t’i nënshtrohet një procesi të rregullt gjyqësor.

Çifti xhihadist tashmë në Siri Aldo Kobuzi e bashkëshortja e tij Fatima (Maria Giulia SERGIO) së bashku me nënën e Aldo Kobuzit Donika Coku e shtetasen siriane me pasaportë kanadaze Haik Bushra janë shpallur në kërkim ndërkombëtar e do të gjykohen në mungesë. Seanca gjyqësore ndaj tyre është parashikuar më datën 13 prill në qytetin e Milanos.

Siriania Haik Bushra është identifikuar nga hetimet si personi që ka indoktrinuar me anë të internetit dy motrat italiane Marianna e Maria Giulia Sergio.