139 bursa për studente në Kosovë nga bizneset shqiptare në Gjermani

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare në bashkëpunim me Unionin e Bizneseve Shqiptare në Gjermani me seli në Koln, për të tretin vit me radhë, ndajnë bursa për studente nga viti i 2-të e sipër në nivelin bachelor për të gjitha profilet në Universitetin Publik të Kosovës.

Lajme

30/09/2017 09:03

Ndarja e bursave mundësohet nga Unioni i Bizneseve Shqiptare në Gjermani. Kompanitë anëtare të Unionit kanë ndarë një fond të veçantë për programin e bursave me nga një bursë prej 100 euro në muaj, për një vit akademik. Këtë vit, numri i përfitueseve është rritur nga 100 në 139.

Sipas një njoftimi të OEGJK-së, për të ndihmuar studentet me kushte më të rënda sociale, inkurajuar studentet me nota më të larta dhe avancuar në përgjithësi pozitën e gruas në Kosovë Unioni i Bizneseve Shqiptare ne Gjermani dhe OEGJK nëpërmjet këtij projekti synojnë të përkrahin arsimimin e vajzave/grave dhe fuqizimin e tyre.

“Këto bursa u janë dhënë vajzave studente me notë mesatare gjatë studimeve mbi 8.00 dhe të cilat vijnë nga familje me kushte të vështira ekonomike. Përparësi në këto aplikime kanë pasur studentet që vijnë nga familje të kategorive të dala nga lufta. Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Unioni i Bizneseve Shqiptare në Gjermani u urojnë suksese në studimeve fitueseve të bursave, por edhe aplikueseve tjera!

Ceremonia e ndarjes së bursave do të bëhet më 30 shtator nga ora 10.00 në sallën Mona, Ndërtesa Capital Gate (ndërtesa e Bankës Botërore/Deloitte) në Fushë Kosovë.