138 kompani lirohen nga TVSH-ja, përfitojnë 2.1 mln euro

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka treguar se në janar dhe shkurt, 138 kompani kanë përfituar 2.1 milionë euro lirime në import të makinerive prodhuese, lëndës së parë dhe teknologjisë informatike.

Lajme

06/03/2016 18:11

“Gjatë këtyre dy muajve, vlera e importit të makinerive prodhuese, lëndës së parë dhe teknologjisë informatike ka qenë 12.4 milionë euro. Ministria e Financave, përmes autorizimeve të lëshuara nga Dogana dhe ATK, ka liruar 138 kompani nga pagesa e TVSH-së me rastin e këtij importi. Vlera e lirimeve ka qenë 2.1 milionë euro, që mund të merret si shumë me të cilën Qeveria po mbështet prodhimin vendor”, ka thënë Hoti.

Hoti ka treguar se Ministria e Financave, të cilën ai e drejton, është duke punuar me Doganën dhe ATK-në për të lehtësuar më tutje procedurat e marrjes së autorizimeve për të përfituar nga lirimet në pagesën e TVSH-së në import të makinerive prodhuese, lëndës së parë dhe teknologjisë informatike.

“ATK, në ditët në vijim, do të publikojë listën e kompanive që kanë marrë autorizime për lirim nga pagesa e TVSH-në në import”, ka thënë ai.