13 vrasje për katër muaj në Kosovë

Vetëm për katër muajt e parë të 2017-ës numri i vrasjeve ka arritur gjysmën e vrasjeve të kryera në vitet 2015 e 2016.

Lajme

02/07/2017 19:52

Në katër muajt e parë të këtij viti numri i vrasjeve sipas shënimeve të Policisë së Kosovës, është rritur në raport me dy vjetët e kaluar.

Derisa në vitin 2015 policia regjistroi 25 vrasje e në vitin e kaluar 26, vetëm në periudhën janar-prill të këtij viti, sipas forcave të rendit, kanë ndodhur 13 vrasje.

Në shkurt të këtij viti në Pejë një person u vra, e një tjetër u plagos.

Edhe në mars një vrasje tjetër ndodhi në Pejë.

Vrasje pati edhe pas periudhës janar- prill të këtij viti.

Ermal Kamberaj, menaxheri i një lokali në Mitrovicë, u vra në muajin maj, ndërsa lokalet e këtij qyteti u mbyllën në kohën e varrimit për të protestuar kundër kësaj vrasjeje.

Liridona Kozmaqi- Hajdaraj, ushtruesja e detyrës së menaxheres në Zyrën e Komunikimit Publik të Institucionit të Kryeprokurorit të Shtetit tregoi për Kallxo.com punën e prokurorive dhe organeve të drejtësisë në lidhje me vrasjet në Kosovë.

Sipas shënimeve të Zyrës së Kryeprokurorit në vitin 2015 janë ngritur 93 aktakuza rreth vrasjeve, pas përfundimit të hetimeve.

Në 66 raste gjatë këtij viti gjykatat kanë shpallur dënime për vrasje, në 7 raste kanë liruar të akuzuarit, ndërsa kanë marrë edhe 7 aktgjykime refuzuese dhe një masë trajtimi të detyrueshëm.

Në vitin 2015 ishin 147 kallëzime penale të pazgjidhura dhe të pranuara.

Në këto kallëzime të pazgjidhura dhe të pranuara ishin të përfshirë 266 persona.

Në vitin 2016 kallëzimet penale të pazgjidhura dhe të pranuara arritën shifrën 120, ndërsa në ta ishin të përfshirë 210 persona.

Vitin e kaluar prokuroritë ngritën 58 aktakuza për vrasje, ndërsa gjykatat shpallën fajtorë të përfshirët në 33 aktakuza.

Gjykatat në 2016-ën tri herë liruan të akuzuarit, e katër herë rezufuan aktakuzat.

Në periudhën janar- prill 2017 kallëzime penale të pranuara dhe të pazgjidhura për vrasje ishin 79, me 139 persona të përfshirë.

Në këtë periudhë janë ngritur 27 aktakuza, ndërsa fajtorë janë shpallur nga gjykatat të akuzuarit në nëntë raste, e janë marrë katër aktgjykime refuzuese.

Kallxo.com u interesua të dijë nga Institucioni i Avokatit të Popullit nëse ka ankesa nga qytetarët për punën e sistemit të drejtësisë në lidhje me vrasjet që ndodhin.

Zëdhënësja në këtë institucion Majlinda Sinani- Lulaj tha se Avokati i Popullit nuk i ndan ankesat e arritura në lëndë të natyrës penale dhe civile.

“Avokati i Popullit mund të japë rekomandime të përgjithshme për funksionimin e sistemit gjyqësor. Avokati i Popullit nuk do të ndërhyjë në rastet dhe në procedura tjera ligjore që janë duke u zhvilluar para gjykatave, përveç rastit kur ka zvarritje të procedurave”, tha Majlinda Sinani- Lulaj, duke treguar se ky institucion respekton pavarësinë e gjykatave.