12 medalje të notarëve kosovarë në Dubrovnik

Notarët kosovarë janë treguar të suksesshëm në Dubrovnik. Ata u kthyen në Kosovë me 12 medalje të fituara, në turneun ndërkombëtar “Golden Orlando”, që u mbajt në Kroaci.

Sport

12/05/2014 19:46

Notarët kosovarë po tregohen mjaft të suksesshëm në angazhimet e tyre ndërkombëtare.

Madje, ata shpesh kthehen me medalje nga garat e ndryshme. Kështu ndodhi edhe në turneun ndërkombëtar “Golden Orlando”, i cili u mbajt në Dubrovnik të Kroacisë.

Nga garuesit e Kosovës, më i suksesshmi doli Lum Zhaveli, i cili në kategorinë absolute fitoi tri medalje, të artën në 50 metra bretkosë, të argjendit në 50 metra krol dhe të bronzit në 50 metra delfin. 

Përveç tij, paraqitje të mirë patën edhe Flaka Pruthi në kategorinë B, Melisa Zhdrella në kategorinë C, Ardit Hysejni në kategorinë D dhe Eda Zeqiri në kategorinë E, duke fituar së bashku 9 medalje.

Paraqitje të mirë pati edhe notarja Rita Zeqiri e cila e përmirësoi rekordin e Kosovës në disiplinën 400m miks, por nuk arriti të stoliset me medalje dhe u rangua dy herë në vendin e katërt.

Me gjithsej 12 medalje të fituara, notaret tanë patën paraqitje shumë të mirë.

Gara e radhës për notarët kosovarë është më 17-18 maj në Shkup të Maqedonisë, ku do të zhvillohet për të dhjetën herë më radhë “Delfin Cup”.