119 persona të vdekur në aksidente gjatë vitit 2017 (Foto)

Numri i aksidenteve gjatë viti 2017 ishte i madh, ndërsa numri i personave që mbeten të vdekur është 119, që do të thotë 19 më shumë se gjatë viti 2016.

Lajme

06/01/2018 11:42

Policia për lajmi.net thotë se 11.549 persona kanë mbetur të lënduar, që do të thotë se edhe kjo shifër është më e madhe në krahasim me vitin 2016 (11.059).

“Policia e Kosovës referuar kryesisht sezonit dimëror, në funksion të një menaxhimi dhe kontrolli më të mirë të sigurisë, në veçanti të trafikut rrugor ka përpiluar  një plan operativ policor të cilin edhe e kemi shpërndarë për implementim nëpër te gjitha departamentet dhe rajonet policore për zbatim dhe implementim dhe masa ligjore do të ndërmerren në vazhdimësi për të gjithë ata që nuk u përmbahen rregullave në trafik. Nga divizioni i trafikut rrugorë i PK-së janë përpiluar dhe shpërndarë fletëpalosje me udhëzime dhe mesazhe vetëdijësuese për të ndikuar në uljen e aksidenteve me fatalitet qe mbeten një shqetësim apo brengë për të gjithë ne”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Kujtojmë, se Policia e Kosovës, referuar situatës së krijuar dhe vazhdimit të humbjes së jetëve të njerëzve në trafik kohë më parë ka marrë masa shtesë me krijimin e një TASK FORCE, përmes së cilës është bërë shtimi i prezencës së njësiteve policore në trafik në të gjitha akset rrugore, për realizimin e planifikimeve policore duke aplikuar masën zero-tolerancë ndaj gjithë kundërvajtësve në trafik.

“Vlen të potencohet se aplikimi i masës zero-tolerancë ndaj gjithë kundërvajtësve në trafik, ka shtuar edhe numrin e shqiptimit të gjobave në trafik për kundërvajtje të ndryshme, duke përfshirë edhe për tejkalimin e shpejtësisë e që është njëri prej shkaktarëve me te shpeshtë të aksidenteve me pasoja fatale”, thuhet më tej aty.

Policia e Kosovës vazhdon të apelojë tek te gjithë pjesëmarrësit në trafik në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë vigjilent dhe të respektojnë rregullat që dalin nga ligji i trafikut; t’i përmbahen shpejtësisë se përcaktuar me shenjat e trafikut, t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike, si dhe mos të përdorin telefonat gjatë ngasjes se automjeteve sepse me veprime të tilla jo të sigurta po kontribuojnë në shtimin e aksidenteve dhe humbjen e jetëve të njerëzve në trafik. /Lajmi.net/