118 mijë euro paga për aeroportin jofunksional

Gjatë vitit 2016 për paga e mëditje dhe për shërbime të tjera në aeroportin jofunksional të Gjakovës janë shpenzuar hiç më pak se 201 mijë e 423 mijë euro

Lajme

10/05/2017 09:16

Më shumë se 201 mijë euro para të buxhetit të shtetit janë shpenzuar vetëm gjatë këtij viti për pagat e bordit, menaxhmentit, por edhe për pagesa të shërbimeve të tjera për Aeroportin e Gjakovës, ndonëse ai edhe më tutje është jofunksional.

Gazeta “Zëri” kohë më parë ka raportuar se pas largimit të KFOR-it italian Aeroporti i Gjakovës ka vazhduar të shkatërrohet në vazhdimësi.

Para pak ditësh këtë aeroport e kishte vizituar edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe i cili kishte premtuar se Aeroporti i Gjakovës brenda një kohe të shkurtër do të jetë në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

Në raportin vjetor të Aeroportit të Gjakovës, të siguruar nga gazeta “Zëri”, thuhet se për 13 paga dhe mëditje gjatë vitit që lamë pas janë shpenzuar 118 mijë e 257 euro. Në bazë të një përllogaritje të thjeshtë del se paga mesatare në këtë ndërmarrje publike jofunksionale është më e lartë se 750 euro.