11 të arrestuar për keqpërdorime në UP

Janë arrestuar 11 persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Të arrestuarit pranonin shuma të ndryshme të parave me qëllim të regjistrimit të studentëve në UP. Ata gjithashtu kryenin edhe provime me para.

Lajme

12/12/2013 16:12

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, gjatë një operacioni sot rreth orës 09:00 ka arrestuar (11) njëmbëdhjetë persona, me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje e ryshfetit, raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë.

Që nga viti 2009 deri në vitin 2012 këta persona kishin marrë ryshfet nga studentë të UP’së për regjistrimin e tyre në degë të ndryshme në universitet.

“Bazuar në hetimet policore personat e dyshuar, tashmë të arrestuar nga policia, gjatë periudhës kohore nga viti 2009 e deri në përfundim të vitit 2012, me qëllim të përfitimit material kanë pranuar shuma të ndryshme të parave (nga 4 mijë deri në 10 mijë euro) me qëllim të regjistrimit të studentëve në UP në Fakultetin e Mjekësisë, të Edukimit etj., duke u shërbyer me organizata studentore”, njofton komunikata e Policisë së Kosovës.

Të njëjtit po gjatë kësaj periudhe kanë përfituar shuma nga 100 deri në 500 euro, për kryerjen e provimeve nga lëndë të ndryshme mësimore, duke hyrë në provim në vend të studentëve tjerë, si dhe duke intervenuar tek profesorët për marrjen e notave kaluese.

Të gjitha veprimet dhe hetimet policore janë kryer nën autorizimin e prokurorit përkatës dhe me autorizimin e tij ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për të vazhduar me procedurat e mëtejme hetimore, ku mund të ketë zgjerim të hetimeve edhe ndaj personave të tjerë.

Më poshtë ju sjellim emrat e personave të arrestuar sipas komunikatës nga Policia e Kosovës:

E. B. i lindur në vitin 1984,

R. Z. i lindur në vitin 1984,

K. G. i lindur në vitin 1986,

A. J. i lindur në vitin 1985,

L. B. i lindur në vitin 1987,

A. H. i lindur në vitin 1988,

G. M. i lindur në vitin 1984,

M. B. i lindur në vitin 1984,

A. H. i lindur në vitin 1984,

K. M. i lindur në vitin 1988,

M. M. i lindur në vitin 1983.