Shqipëria shton kontrollin ushtarak në kufi

Kriza e emigrantëve ka shtuar përpjekjet e Forcave të Armatosura për të pasur një kufi sa më të sigurt. Gjatë vizitës në Tiranë, komandanti i forcës tokësore të SHBA-ve në Evropë, ka garantuar bashkëpunimin me Shqipërinë si vend anëtar në NATO. Sipas SHBA terrorizmi ka ndryshuar sigurinë në Evropë.

Lajme

21/03/2016 22:53

 

Në një dalje publike me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, u evidentua nevoja për shtimin e forcave të sigurisë në kufi.

“Shqipëria po ndjek me kujdesin e duhur zhvillimet në mjedisin e sigurisë dhe në mënyrë të veçantë ato kufijtë lindorë dhe jugor të Aleancës dhe se Forcat e Armatosura të Shqipërisë, në mundësitë e burimeve të tyre, janë aktive me kontribute dhe në masa në kuadër të Planit të Gatishmërisë së Aleancës – ndryshe i quajtur Readiness Action Plan. Gjithashtu e informova mikun tim edhe me kujdesin e shtuar nga ana jonë për implikimet që mund të sjellin zhvillimet në kufijtë jugor të Aleancës (vala e emigrantëve)”, ka thënë Jeronim Bazo.

Edhe për komandantin e Forcës Tokësore të SHBA-ve në Evropë fakti që terrorizmi ka ndryshuar sigurinë në Evropë kërkon gjithashtu një siguri të shtuar.

“Mjedisi i sigurisë ka ndryshuar shumë kohët e fundit në Evropë. Kemi rastin e ekstremizmit islamik që është përhapur gjithandej, sidomos nga vendet me origjinë nga Afrika si dhe kemi krizën tragjike të refugjatëve që është aktuale dhe po ashtu dhe invazioni rus dhe pushtimi i Krimesë nga ana e saj e ka ndryshuar shumë mjedisin atje. Qëllimi kryesor i vizitës time në Shqipëri ishte forcimi i mëtejshëm i kësaj lidhjeje të fortë ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA si dy vende anëtare të NATO”, ka thënë Ben Hodges.

Hodges ka vlerësuar Shqipërinë si një vend besnik të NATO-s, dhe ka garantuar mbështetje të vazhdueshme për Forcat e Armatosura.