Reagon KOMF për dhunën ndaj nxënësit në Komunën e Rahovecit

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF përmes këtij reagimi shpreh shqetësimin e thellë për rastet e dhunës ndaj nxënësve në Republikën e Kosovës.

Lajme

15/03/2016 12:32

Më saktësisht sipas KOMF, me datën 14 mars 2016, në kanalin You Tube në internet është publikuar një video në të cilën shihet dhuna e mësimdhënësit ushtruar ndaj nxënësit gjatë mbajtjes së orës mësimore.

“Në videon e publikuar, vërehet dhuna e ushtruar nga mësimdhënësi ndaj nxënësit në një shkollë në Komunën e Rahovecit derisa sa mbahej ora mësimore, me ç’rast në mënyrë brutale dhe të pakursyer, mësimdhënësi vazhdon ta godasë nxënësin përkundër insistimit të tij (nxënësit) për ta evituar atë. Veprimi i dhunës, është xhiruar nga nxënësit, për tu publikuar më pas në kanalin You Tube”, thuhet në reagimin e KOMF.

Drejtoria për Arsim në Komunën e Rahovecit ka konfirmuar se rasti ka ndodhur dje (e hënë, 14 mars) në Shkollën Fillore “Rudolf Walther”, fshati Dibidol dhe bazuar në konfirmimin e Drejtorisë, është proceduar me hetimin e rastit nga organet përkatëse të Komunës.

KOMF edhe njëherë shprehë shqetësimin dhe rithekson se dhuna e ushtruar ndaj nxënësve, është e papranueshme dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore. Aktet e tilla të dhunës, shkaktojnë pasoja të dëmshme dhe shpesh të parikuperueshme fizike dhe psikologjike për nxënësit. KOMF apelon tek organet kompetente te marrin masat adekuate bazuar në legjislacionin në fuqi.

“Dhuna dhe veprimet e tilla të mësimdhënësit, bien në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Arsimin Parauniversitar të Republikës së Kosovës, Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Rregulloren QRK Nr. 21/2013 për Protokollin për Parandalimin dhe Referimin e Dhunës në Institucionet e Arsimit Para-Universitar si dhe rregulloret tjera përkatëse të punës së mësimdhënësve”, thuhet më tej në reagim.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në dispozitat për të drejtat e fëmijëve, në nenin 50.3 shprehimisht parasheh që secili fëmijë gëzon të drejtën për të qenë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi dhe shfrytëzimi.

Sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, ndëshkimi fizik apo çfarëdo forme tjetër e ndëshkimit është i ndaluar në të gjitha institucionet arsimore dhe aftësuese, qofshin ato publike ose private. Gjithashtu Kodi Penal i Republikës së Kosovës, ka sanksionuar rastet e keqtrajtimit, frikësimit apo fyerjet ndaj fëmijës, dhe kur kjo bëhet nga personi zyrtar duke keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij, personi i tillë rrezikon dënimin me burg nga 6 muaj në 5 vjet.

KOMF konsideron se organet kompetente urgjentisht duhet ndërmarrë të gjitha masat disiplinore dhe ligjore dhe të sigurojnë një ambient ku rastet e tilla nuk do të përsëriten. Nëse veprimet e tilla vërtetohen dhe kualifikohen në kundërshtim me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, atëherë të procedohet penalisht ndaj mësimdhënësit i cili ka ushtruar dhunë ndaj nxënësit në fjalë./lajmi.net