Lista Serbe: Në asnjërin raund s’e kemi votuar Thaçin për President

Shefi i Listës Serbe për Kosovën, Slavko Simiq, ka deklaruar se 10 deputetët e kësaj liste nuk e kanë votuar Hashim Thaçin për President në asnjërin nga tri raundet, njofton Klan Kosova.

Lajme

27/02/2016 16:00

Sipas tij, kështu u ruajt neutraliteti karshi subjekteve shqiptare.

Se serbët nuk kanë votuar pro Thaçit e ka treguar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq.

Megjithatë deputetët e pakicës serbe qëndruan në sallë për të siguruar kuorumin e nevojshëm që procesi të mos bllokohet.

Por se nuk ka votuar për Thaçin ka thënë edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

Nëse 10 deputetët e Listës Serbe nuk e kanë votuar Thaçin për President dhe njëjtë ka vepruar edhe Zemaj, atëherë Thaçi do të duhej të kishte 11 vota të pavlefshme e jo 10 sa edhe ishte numri zyrtar i tyre, pasi që rezultati i raundit final ishte; 71 vota pro dhe 10 të pavlefshme nga 81 deputetë sa votuan gjithsejtë, njofton Klan Kosova.

Votimi për President është i fshehtë, prandaj deputetët, si Zemaj, ose grupet parlamentare, si Lista Serbe, shpalosjen e votimit e kanë bërë vullnetshëm, përkundër se numrat nuk po përputhen.

Gjithsesi, Hashim Thaçi është zgjedhur President në raundin e tretë të votimit, kur është nevojitur vetëm shumica e thjeshtë, ose 61 vota e më shumë.

Themeluesi i Partisë Demokratike të Kosovës në raundin e parë të votimit, kur për t’u shpallur President nevojiteshin 2/3 ose 80 pro të paktën, Thaçi nuk ka arritur të fitojë më shumë se 50 vota për.

Në atë votim të parë, në të cilin morën pjesë 81 deputetë, për Hashim Thaçin votuan 50 veta, kurse 27 vota u shpallën të pavlefshme. Katër vota i mori kundërkandidati i Thaçit, bashkëpartiaku Rafet Rama.

Kurse raundi i dytë solli ndryshime të mëdha në numra, përkundër se pragu prej 2/3 përsëri nuk u kalua.

Edhe në këtë raund votuan 81 deputetë, ndërsa këtë herë Hashim Thaçi mori 63 vota për e 16 u shpallën të pavlefshme.

Në raundin final Thaçi mori 71 vota për e 10 ishin të pavlefshme.

Ndërsa Rafet Rama, i cili nuk e votoi as veten, nuk mori asnjë votë.

Hashim Thaçi është Presidenti i pestë qysh se Kosova fitoi lirinë në vitin 1999. Kurse i katërti prejse vendi shpalli Pavarësinë e Kosovës, me 17 shkurt në 2008, deklaratën e së cilës pavarësi, e kishte lexuar vet Hashim Thaçi, atëherë si kryeministër i shtetit më të ri në Europë.