Hashim Thaçi, presidenti i parë me tranzicion

Nëse nesër zgjidhet president, Hashim Thaçi do të jetë presidenti i parë, që mandatin e tij do ta marrë me tranzicion.

Lajme

25/02/2016 19:59

Kosova, deri më tash, asnjëherë nuk kishte pasur fatin që me procedurë të rregullt, presidenti në shkuarje t’ia dorëzonte mandatin presidentit të ri, sepse në të shumtën e rasteve atyre u ishte dashur që të japin dorëheqje për shkak të shkeljeve kushtetuese.

Pas vdekjes së Ibrahim Rugovës kur ishte në detyrë, në ulësen e të parit të shtetit kishte ardhur Fatmir Sejdiu, i cili sapo ishte votuar në Kuvendin e Kosovës kishte bërë betimin dhe nisur mandatin presidencial. Sejdiu, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me postin e tij të ngrirë në LDK, e cila e kishte shpallur antikushtetues, ishte obliguar që të jepte dorëheqje pa e përfunduar mandatin e tij presidencial.

Pas tij, në ulësen e të parit të shtetit shumë shkurtë ishte ulur edhe Behgjet Pacolli. Njëjtë si Sejdiu, edhe Pacolli e kishte marrë mandatin menjëherë pas votimit të tij në Kuvendin e Kosovës. I dërguar nga opozita në Gjykatën Kushtetuese, zgjedhja e tij rezultoi me shkelje kushtetuese dhe Pacolli u detyrua të largohej shumë shpejt prej zyrës së të parit të shtetit.

Në të dy këto raste, tranzicionin e kishte bërë kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si ushtrues detyre në mungesë të presidentit dhe jo si president formal.

Pas Pacollit, me një marrëveshje politike, si zgjidhje kalimtare në krye të shtetit erdhi Atifete Jahjaga, e cila gjithashtu mandatin presidencial e mori menjëherë pasi u votua dhe bëri betimin në Kuvendin e Kosovës.

Ndonëse u pa si zgjidhje kalimtare, Jahjaga tash po e përfundon gjithë mandatin e saj pesëvjeçar presidencial, kurse për herë të parë me procedurë të rregullt në krye të shtetit pritet të vjen Hashim Thaçi, i cili nesër pritet nëse do të votohet  ose jo për president.

Por, edhe pse pritet të jetë i pari president që mandatin e tij do ta marrë me tranzicion, me procedurë të rregullt më 7 prill, kur edhe do ta bëj betimin, opozita e Kosovës për ta kundërshtuar ardhjen e tij në krye të shtetit, për nesër i ka thirrur simpatizantët e vetë për të protestuar kundër zgjedhjes së Thaçit.

Aktualisht Thaçi është lideri më i votuar në vend dhe fitues i zgjedhjeve prej vitit 2007. /Indeksonline/