Prokuroria kërkon 77 vjet burg për 7 persona, furnizonin me drogë të burgosurit

Prokuroria e Elbasanit kërkon një dënim në total prej 77 vjetësh burgim për 7 persona, pjesë e një rrjeti shpërndarje lëndësh narkotike, që e shisnin në burgun e Peqinit, nëpërmjet ndihmës së një gardiani.

Lajme

21/02/2016 12:23

Në bazë të hetimeve, ka rezultuar se këta shtetas e siguronin lëndën narkotike në qytetin e Elbasanit dhe nëpërmjet punonjësit të burgut Zenel Nezha, ia jepnin të burgosurit Dorjan Tatoshi, i cili më tej ua shiste të burgosurve të tjerë.

Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Elbasanit kërkon dënimin për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike…”, për shtetasit Ardjan Serica me 10 vjet e 6 muaj burgim; Romeo Serica me 10 vjet e 6 muaj; Ferit Serica me 10 vjet e 6 muaj; Jurxhgens Kurani me 12 vjet; Dorian Tatoshi me 12 vjet; Zenel Nezha me 15 vjet burgim (përfshirë edhe akuzat për “Shpërdorim detyre” dhe “Armëmbajtje pa leje”); Altin Bektashi me 7 vjet burgim.

Nga provat e grumbulluara në lidhje me hetimin e këtij procedimi penal ka rezultuar se i pandehuri Ardjan Serica, në bashkëpunim me të pandehurin Romeo Serica, iu kanë shitur heroinë disa personave.

I pandehuri Jurxhens Kurani, në bashkëpunim me të pandehurin Zenel Nezha, i cili është punonjës pranë IEVP Peqin, kanë futur në brendësi të IEVP Peqin lëndë narkotike të llojit canabis sattiva. Nga hetimi rezulton se i pandehuri Jurxhens Kurani merrte porosi nga brenda burgut nga i pandehuri Dorian Tatoshi në lidhje me sasi të ndryshme lëndësh narkotike. Pasi merr këtë porosi, ai e përgatit lëndën narkotike.

I pandehuri Dorian Tatoshi bashkëpunon me punonjësin e IEVP Peqin, të pandehurin Zenel Nezha, i cili merr lëndën narkotike në qytetin e Elbasanit tek i pandehuri Jurxhens Kurani. Nga hetimi rezulton se i pandehuri Dorjan Tatoshi lëndën narkotike ua shet të dënuarve në IEVP Peqin.