Veseli: Dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke

Në kuadër të vizitës në Bruksel, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot edhe udhëheqësin e Delegacionit për Kosovë dhe BeH në Parlamentin Evropian, Tonino Picula.

Lajme

18/02/2016 23:39

Pasi e uroi kryetarin Veseli për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit,  Picula u interesua për gjendjen në Kosovë, me theks të veçantë për zhvillimet e fundit, hapat që duhet ndërmarrë pas ratifikimit të MSA-së, për kriteret për liberalizimin e vizave dhe bashkëpunimin rajonal. Në këtë aspekt, ai ofroi mbështetjen në kuadër të rolit të tij në PE.

Kryetari Veseli, nga ana e tij, e falënderoi  Piculan për MSA-në dhe vlerësimin pozitiv për liberalizim të vizave, dhe njëherësh shprehu besimin e plotë se kriteret e mbetura do të plotësohen shpejt.

Veseli tha se Kuvendi do t’i përmbushë obligimet që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave, detyrimet që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës, por edhe ato ndërkombëtare. Ai e konsideroi të nevojshme rritjen e bashkëpunimit midis Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës.

Po sot, kryeparlamentari Veseli u takua me Angelina Eichhorst, Drejtore për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, në EEAS.

2016_02_18_Takimi me Angelina Eichhorst (1)

Eichhorst shprehu interesimin për marrëdhëniet fqinjësore që Kosova kultivon me fqinjët e saj, MSA-në, dialogun me Serbinë dhe ardhmen e Kosovës.

Veseli potencoi se dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke. “Duke theksuar nevojën për stabilitet të plotë të vendit dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm, kryetari Veseli shprehu kënaqësinë për ratifikimin e MSA-në dhe procesin final të liberalizimit të vizave”, thuhet në njoftim.

Ai vlerësoi se bashkëpunimi rajonal dhe anëtarësimi i Kosovës në BE, janë objektiva nacionale të Kosovës për gjithë spektrin politik të vendit. Veseli shtoi se Kuvendi i Kosovës do t’i kryej obligimet e veta për secilën çështje, në kuadër të rregullativës ligjore dhe Kushtetutës./lajmi.net