Nisin hetimet ndaj sulmeve seksuale në Gjermani

Shtatë javë pasi qindra gra u sulmuan dhe u dhunuan seksualisht gjatë mbrëmjes së ndërrimit të viteve në Këln, autoritetet kanë nisur një hetim zyrtar për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Bota

18/02/2016 16:37

Hetimi do të ketë si epiqendër zbulimin e personave që kanë kryer aktet e turpshme, të cilët në bazë të investigimeve paraprake kanë qenë kryesisht emigrantë të ardhur nga Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme.

Gjithashtu, autoritetet do të mundohen që të zbulojnë arsyet se pse policia e kishte të pamundur që të parandalonte veprimet e kryera, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten.

Lajmi për nisjen e hetimit zyrtar u dha nga Kreu i Komitetit të Hetimit në Parlamentin rajonal, Peter Biesenbach, i cili gjatë fjalës së tij tha se autoritetet kanë përpara një përgjegjësi të madhe.

Autoritetet gjermane kanë arrestuar dhjetëra persona të cilët dyshohet se kanë kryer sulme dhe akte të turpshme gjatë mbrëmjes së ndërrimit të viteve.

Megjithatë, numri i tyre mendohet të jetë shumë herë më i madh./Kp