Çfarë shkakton ankthin?

Presioni i kujdesit për fëmijët dhe prindërit në plakje, mund të jenë shkaqet kryesore të stresit dhe ankthit te grupmosha nga 40 deri në 59 vjeç.

Lifestyle

04/02/2016 19:12

Njerëzit e moshës së mesme janë më pak të lumturit, kanë nivelet më të ulëta të kënaqësisë në jetë dhe gjithashtu nivelet më të larta të ankthit, tregojnë statistikat e fundit të mirëqenies.

Edhe njerëzit e moshës nga 90 vjeç e lart kanë kënaqësi dhe lumturi më të madhe në jetë sesa ata të moshës 40-59 vjeç, zbuloi studimi nga Zyra Britanike e Statistikave, ONS. Ndërsa gratë në përgjithësi raportonin se përjetonin nivele më të larta të ankthit sesa burrat, por ato ishin më të lumtura dhe më të kënaqura me jetën sesa burrat.

Statisticienët analizuan të dhënat e mirëqenies personale të më shumë se 300,000 të rriturve në Britani, mbledhur gjatë tre viteve të fundit nga 2012 në 2015. Pas moshës 35 vjeç e lart, lumturia dhe kënaqësia me jetën binte ndjeshëm te pjesëmarrësit e analizës.

Ky trend pësonte ndryshim pas moshës 60-vjeçare, ku njerëzit e moshës 65 deri në 79 vjeç priren të raportojnë nivele mesatare më të larta të mirëqenies personale, megjithëse nivelet e lumturisë me jetën fillojnë të bien pas kësaj moshe.

Sipas raportit, përgjegjësitë e shumëfishuara të moshës së mesme mund të ndikojnë shumë te njerëzit, ku një pjesë e madhe e tyre përballet me stresin e dyfishtë të kujdesit ndaj fëmijëve dhe prindërve që po plaken.

Të rinjtë dhe pensionistët mund të kenë më shumë kohë për aktivitete argëtuese, zbuloi raporti. Në kontrast, ata që janë në vitet e moshës së mesme mund të kenë më shumë ngarkesë për nga detyrat që duhet të përmbushin dhe njëkohësisht lodhen shumë për të gjetur një balancë mes punës dhe familjes.

“Provat tregojnë se njerëzit po bëhen më vonë me fëmijë. Ndaj, një tjetër arsye e mundshme për uljen e lumturisë te mosha e mesme mund të jetë barra e të pasurit nën kujdes dy prindërit e moshuar dhe fëmijët”.

Por mundësia tjetër është thjesht që më të moshuarit kanë më pak përgjegjësi, e shijojnë jetën më shumë ose përfitojnë nga ndryshimet e moshës apo diturisë që ndikojnë shumë në mënyrën se si i shohim gjërat.

Megjithatë, ekspertët e shëndetit mendor kanë një set kompleks çështjesh që kombinohen me moshën e mesme, që mund të çojë në zhvillimin e disa vështirësive në veçanti.

Rachel Boyd, kreu i një shoqate bamirësie për shëndetin mendor, tha: “Megjithëse ne përballemi me ngjarje sfiduese gjatë fazave të ndryshme të jetës sonë, gjërat mund të jenë veçanërisht të vështira për moshën e mesme. Personat në këtë moshë mund të jenë duke u përballur me përgjegjësi të mëdha si kujdesi ndaj prindërve dhe fëmijëve njëkohësisht. Gjithashtu, edhe problemet familjare, si për shembull divorci”.

“Është gjithashtu një fazë e jetës në të cilën presionet e punës dhe ato financiare, si borxhi i shtëpisë, arrijnë kulmin në këtë fazë. Pritshmëritë që ju duhet të arrini në majë të karrierës, përballja me një treg pune të pasigurt, që mund të ndikojnë shumë në këtë fazë”, thotë eksperti.

Shqetësimet financiare dhe ankthi ndikon shumë në ngarkesën mendore, ku sipas kërkimeve të organizatës së bamirësisë, 85 për qind e të analizuarve thonë se vështirësitë financiare i kanë përkeqësuar problemet e tyre mendore.

Zyra Britanike e Statistikave u kërkoi njerëzve të vlerësonin kënaqësinë në jetë, kënaqësinë me punën, lumturinë dhe ankthin. Studimi zbuloi se grupmosha 40 deri në 59 vjeç kishte më pak kënaqësi nga jeta, ku kulmi qe mosha 50 deri në 54 vjeç.

Ata që kishin nivel më të lartë kënaqësie në jetë ishin të moshës 70 deri në 74 vjeç, pasuar nga grupmosha 65 deri në 69 vjeç dhe ata që ishin nga 16 deri në 19 vjeç. Njerëzit e moshës 75 deri në 79 raportuan gjithashtu nivelet më të larta të kënaqësisë me jetën, megjithëse kjo ulej me kalimin e moshës.

Lumturia ndiqte një model të ngjashëm, ku pjesëmarrësit e moshës 40 deri në 59 vjeç, zakonisht raportonin nivele të ulëta të lumturisë, ku mosha 50 deri në 54 vjeç ishin më pak të lumturit nga të gjithë. Ata të moshës 65 deri në 74 vjeç ishin më të lumturit, njëlloj si mosha 16 deri në 19 vjeç. Mbi moshën 75 vjeç, nivelet e lumturisë binin, por ata të moshës 90 vjeç ishin më të lumtur se mosha e mesme.

Boyd tha: “Ndërsa pjesa më e madhe e njerëzve mund ta lidhin idenë e ndjesisë së tensionit me një ngjarje stresuese si një intervistë pune apo zhvendosje në një shtëpi tjetër, problemet mendore si ankthi dhe depresioni kanë impakt më të madh në jetën tonë dhe mund të ndalojnë një person që të mos bëjë gjërat që bënte dikur”. Njerëzit në ankth apo depresion, duhet të kërkojnë ndihmë nga ekspertët. / The Guardian