Strofulla e seksit, narkomanëve dhe hajnisë në Prishtinë (Foto/Video)

Vendi ku normalisht do të duhej të shërbente si garazhe për banorët e lagjes, në fakt karakterizohet me prezervativë që gjenden kudo në tokë, garazhe të braktisura e të mbushura me shiringa të narkomanëve, dyer të thyer të garazheve me qëllim të vjedhjes së ndonjë veture etj.

Lajme

05/02/2016 15:28

E njohur ndryshe edhe si strofull e seksit, narkomanëve e hajnisë, ky vend gjendet afër parkut të lagjes Dardania, e vetëm pak minuta larg Shkollës Fillore ‘Dardania’, ku mijëra nxënës ndjekin mësimin.

Për shkak që kjo garazhe i ka disa hyrje, as kamerat nuk kryejnë punë për identifikimin e personave përgjegjës që e kanë shndërruar vendin në diçka të tillë.

 

Banorët e lagjes vazhdimisht janë ankuar për këtë, por ankesat e tyre nuk janë marrë parasysh as nga komuna e as nga ndonjë organ tjetër shtetëror që është kompetent për këtë.

Një banor i lagjes, i cili ka dashur të mbetet i pa identifikuar për shkaqe sigurie, ka treguar se vazhdimisht ka probleme me narkomanët të cilët shpeshherë e kanë kërcënuar edhe me jetë.

Shiringat

“Nuk kryen punë as policia, i kam thirr disa herë por derisa vinin ata narkomanët veçse ikshin”, ka rrëfyer ai për lajmi.net.

I pyetur nëse personalisht ka provuar t’i largoj ata nga ky vend, vend në të cilin duhej ta linte veturën e tij pasi që i takon, ai thotë se po, por që e kanë kërcënuar disa herë se do ta thernin me thikë, e edhe se do ta vritnin nëse i ndërprenë prapë.

Për veç që përdoret si vend për marrjen e drogës, kryesisht marijuanës e heroinës, ky përdoret edhe si ‘motel’, ku shumë të rinj, qoftë edhe nëse nuk janë narkoman, vinë dhe bëjnë seks, gjë që dëshmohet nga shumë prezervativë që gjenden kudo në tokë.

Vetëm disa prej banorëve të lagjes të cilët i kanë të siguruara mirë garazhet i lënë veturat aty, pasi që të tjerëve ua kanë thyer disa herë dyert e garazheve e ua kanë vjedhur pjesët e veturave. /lajmi.net

YouTube player