Specialja në dorën e tre deputetëve

Nait Hasanin dhe Ganimete Musliun nuk ka asnjë njeri që mund t’i bindë që t’i thonë “Po” themelimit të Gjykatës Speciale. Këta dy deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës nuk kanë ndryshuar qëndrimet e tyre as pas gati një muaji kur i thanë “Jo” votimit të ndryshimeve të amendamenteve Kushtetuese që do i hapnin rrugë Gjykatës Speciale.

Lajme

01/08/2015 18:34

Derisa Hasani dhe Musliu qëndrimet e tyre i kanë shprehur publikisht, kolegët e tyre që në seancën e 26 qershorit votuan kundër, i kanë lënë që t’i mbajnë për vete. KosovaPress ka kontaktuar disa prej tyre por që nuk kanë dashur të tregojnë se a do të votojnë kundër apo për ndryshimet kushtetuese.

Megjithatë janë 81 vota që i japin dritën e gjelbër ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale. Koalicioni qeveritar i ka gjithsej 88 deputetë. Për katër është e sigurt që janë kundër, që i bie se fati i themelimit të Gjykatës Speciale është në duar të katër deputetëve.

Deputetit Nait Hasani, thotë se të hënën do të jetë në seancë por që përsëri do të votojë kundër ndryshimeve Kushtetuese.

Në një prononcim për KosovaPress Hasani madje ka thënë se pret që ta ndrrojnë mendjen edhe kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendës kryeministri Hashim Thaçi.

“Unë nuk do të ndryshoj qëndrim sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale. Unë pres që Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa të ndryshojnë mendim sepse unë nuk do të ndryshoj. Krimi në kohën e luftës nuk ka qenë krim individual por krim universal, prandaj edhe unë do të qëndroj i të njëjtit mendim sikur seancën e kaluar”, tha Hasani.

Sipas Hasanit, qëndrimet e tij nuk kanë pse të ndryshojnë për asnjë arsye.

Qëndrim të njëjtë me kolegun nga partia e ka edhe Ganimete Musliu.

Deputetja e PDK-së që vjen nga Drenica tha se të hënën do të japë votë e saj por edhe kësaj radhe do të votojë kundër themelimit Gjykatës.

“Qëndrimet e mia nuk kanë ndryshuar. Unë sigurisht se do të votoj, por njëjtë sikur herën e kaluar do të votoj kundër themelimit të kësaj gjykate”, tha Musliu p ër KosovaPress.

Derisa herën e kaluar kishte votuar kundër, Rafet Rama tashmë është i pavendosur. Ai tha për KosovaPress, tha se nuk ka vendosur ende se qysh do të votojë por për këtë ka thënë se do të vendosë në takimin e Grupit Parlamentar që do të mbahet të hënën.

“Ende nuk kam vendosur a do e votoj apo jo. Të hënën kemi mbledhje me Grupin Parlamentar, aty edhe do të vendosi përfundimisht nëse do e votoj apo jo”, tha Rama.

Ajo që ka vendosur që moti për këtë çështje është Flora Brovina. Ajo për KosovaPress tha se qëndrimet e saj nuk kanë ndryshuar aspak.

“Për themelimin e kësaj Gjykate unë kam vendosur kaherë, qysh para 3 viteve kur ka filluar të flitet për këtë çështje, prandaj besoj që përgjigja ime nënkuptohet. Qëndrimet e mia nuk kanë ndryshuar”, tha Brovina.

Deputetja më e vjetër e Parlamentit, seancën e kaluar kishte abstenuar gja të votimit për ndryshimet kushtetuese.

KosovaPress ka kontaktuar edhe deputetët tjerë që kanë votuar kundër në seancën e kaluar por disa nga ta nuk e kanë hapur telefonin e Xhevahire Izmaku dhe Fadil Demaku nuk kanë dashur që të flasin në lidhje me këtë çështje.

Të paqasshëm në telefon gjatë së shtunës kane qenë Fadil Beka dhe Nezir Çoçaj ndërkaq KosovaPress nuk ka mundur të kontaktojë as Blerta Deliun e cila më 26 qershor nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e votës, duke hequr nga funksioni kartelën e votimit.

Në anën tjetër KosovaPress ka mësuar se Blerta Deliu dhe Xhevahire Izmaku kësaj radhe do të votojnë pro ndryshimeve kushtetuese.

Partnerët e koalicionit, PDK-LDK, bashkë me minoritarët, përfshirë këtu edhe Listën Serbe, i duhet të sigurojë 2/3 e votave apo 81 sosh për miratimin e këtyre amendamenteve që i hapin rrugë krijimit të Speciales, derisa për miratimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe Mbështetje financiare nevojiten vetëm 61 vota.

Në seancën e 26 qershorit 75 deputetë votuan për, 7 kundër dhe 2 abstenuan, që në total i bie të votojnë 84 deputetë, nga 88 sa i ka gjithsej koalicioni PDK- LDK dhe minoritetet