1000 punëtorë të Postës së Kosovës ende s’i kanë marrë pagat

Kryesia e Shoqatës Sindikale te Punëtorëve të Postës së Kosovës ka reaguar ashpër për shkak të vonesave në marrjen e pagave.

Lajme

05/04/2018 17:05

“Duke pasur parasysh gjendjen e vështirë financiare nëpër të cilën po kalon Ndërmarrja Publike, Posta e Kosovës Sh.A., si dhe duke pasur parasysh mos ekzekutimin e pagave të punëtorëve edhe sot, që i bije 5 ditë me vonesë, ne ju drejtohemi përmes kësaj komunikate: Menaxhmentit të lartë; Bordit të Postës së Kosovës; si dhe Aksionarit, Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të rrisin përpjekjet e tyre maksimale në gjetjen e zgjidhjes afatgjate, për të përmirësuar gjendjen financiare të Postës së Kosovës, nga e cila sigurohet mirëqenia e mbi 1000 familjeve që ekskluzivisht janë të varur nga paga e Postës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Postës.

Kjo sindikatë në emër të Punëtorëve të Postës së Kosovës kërkon përkrahje maksimale në fuqizimin e PK, Sh.a, në rritjen e përpjekjeve për të përmirësuar gjendjen financiare përmes shërbimeve institucionale, mbulueshmerinë e shërbimeve universal Postare si një e drejtë e garantuar me ligj për operatorin publik Posta e Kosovës, dhe përmes zbatimit të kontratave të shërbimeve postare, e cila njëkohësisht do të ngrit edhe imazhin dhe kredibilitetin  e shtetit të Kosovës si ndërmarrje publike.

“Ne kërkojmë përkrahje për punë, që përmes saj të arrijmë edhe të kemi mirëqenien tonë si çdo punëtorë dhe ndërmarrje tjetër publike. Presim nga Qeveria, Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i Postës së Kosovës të reflektojnë dhe të rrisin angazhimet e tyre, përmes të cilave edhe punëtorët e PK ti kenë pagat e siguruara në afat kontraktual. Nga java e ardhshme ne do të detyrohemi të ndërmarrim hapa Sindikalë deri në realizimin e të drejtave tona, në ekzekutimin e pagave për punëtorët e Postës së Kosovës”, thekson Sindikata. /Lajmi.net/