100 serbë marrin paga pa punuar fare

100 serbë nga Parteshit po marrin paga pa punuar. Kjo gjë i ka kushtuar Komunës për 3 vjet 612 mijë euro. Kryetari i Parteshit, Dragan Nikolic, thotë se Ministri Mahir Yagcillar është njoftuar zyrtarisht për këtë çështe po s'po ka guximin të merret me të.

Lajme

19/02/2014 08:28

100 qytetarë serb të Komunës së Parteshit, qe tre vjet marrin paga dhe nuk punojnë. Ata marrin 17 mijë euro në muaj dhe buxhetit të kësaj komune për këto tre vjet i ka kushtuar 612 mijë euro.

“Koha Ditore” ka siguruar listat e këtyre personave të cilët figurojnë në listën e pagave si punëtorë arsimor në shkolla fillore dhe të mesme të Parteshit, Pasjanit dhe Budigrës.

Kryetari i Komunës së Parteshit, Dragan Nikolic ka thënë për “Koha Ditore” se këta persona nuk kanë as shkollim të përshtatshëm. Ai mandej thotë se këta persona nuk jetojnë as në Kosovë.

“Disa prej tyre jetojnë nëpër Nish, Beograd e Kragujevc”.

Nikolic thotë se Ministri i Shërbimeve Publike Mahir Yagcillar nuk po ka guximin që të përballet me këtë realitet. Ai thotë se për këtë çështje ka paralajmëruar edhe organet e rendit.

“Nuk po ka guximin të përballet me realitetin”.

“Si kryetari i zgjedhur i Komunës kam lajmëruar në rrugë zyrtare se 100 njerëz janë vendosur në lista të pagave, por që nuk punojnë. Ai është dashur menjëherë të merrte masa, t’i përjashtojë ata nga lista e pagave dhe pastaj të verifikonte se cila është e vërteta, por jo”.

“Buxheti është i Komunës. Unë jam në krye të saj i zgjedhur nga populli. Nuk e kam uzurpuar dhe kam të drejtë të kërkojë llogari, sepse po harxhohet paraja që i përket Komunës”, ka thënë Dragan Nikoliq për “Koha Ditore”.