10 tonë kërpudha prodhohen brenda ditës

Menaxhmenti i fabrikës për prodhimin e kërpudhave “Hirano Mashroon”, e cila tani ka të punësuar 170 punëtorë, synon që me ndërtimin edhe të fabrikave të tjera që do të shtrihen në 6 hektarë tokë, pronë e kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, të prodhojë 50 tonë kërpudha në ditë, nga të cilat do të realizojë përfitimin prej 250 mijë eurosh.

Lajme

21/07/2016 08:29

Nuk kanë kaluar dy muaj të plotë nga fillimi i punës së fabrikës për prodhimin e kërpudhave në Gushavc të Mitrovicës, investim i kompanisë “Hirano Mashroon”, e prodhimi i saj ka arritur në 10 tonë në ditë.

Fillimisht, sipas menaxhmentit të fabrikës prodhoheshin 4 tonë kërpudha në ditë, shkruan sot gazeta Zëri.

Në këtë fabrikë, nga 5 sa do të ndërtohen në Gushavc të Mitrovicës, në pronat e familjes së kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, janë punësuar 170 mitrovicas, në mesin e tyre edhe shumë femra.

Kjo kompani ka planifikuar t’i ndërtojë edhe 4 fabrika të tjera për prodhimin e kërpudhave, me çka përveç investimeve do të shtohet edhe prodhimi.

Prodhimet e kërpudhave janë kryesisht për eksport. Në ditë, sipas menaxhmentit të fabrikës, prodhohen 10 tonë kërpudha, nga të cilat përfitohen 50 mijë euro.

Por prodhimi i kërpudhave synohet të shtohet me ndërtimin edhe të disa fabrikave të tjera, gjithashtu në pronat e kryetarit të Mitrovicës në Gushavc.

Fabrika për prodhimin e kërpudhave, e cila ka filluar punën në fillim të qershorit të këtij viti, pohohet të jetë fabrika më e madhe për prodhimin e kërpudhave në Evropë.