10 raste të përdorimit të armëve në ahengje famijare për tre muaj në Kosovë

Vrasja e aksidentale e 14 vjeçarit në Fshatin Mushtisht të Suharekës nga xhaxhai i tij gjatë një ahengu familjar, nuk ishte rasti i vetëm kur policia ka evidentuar shkaktim të rrezikut të përgjithshëm nga persona të ndryshëm  të cilët përdorën armë në festa familjare.

Lajme

20/04/2018 15:42

Më 13 prill, N.S, i cili po merrte pjesë në një aheng familjar, nxorri armën e tij për të qëlluar në ajër, mirëpo aksidentalisht, pasi arma i’u bllokua, qëlloi veten dhe nipin e tij E.S, 14 vjeçar, duke i shkaktuar plagë që rezultuan të jenë vdekjeprurëse për të miturin E.S, shkruan lajmi.net.

E nga Policia e Kosovës bëhet e ditur që është një numër i konsiderueshëm i rasteve të evidentuara kur persona të caktuar kanë përdorur armë në ahengje familjare.

Në një përgjigje për lajmi.net, nga Policia e Shtetit bëhet e ditur që gjatë periudhës së tremujorit të parë të vitit 2018, që përfshinë janarin, shkurtin dhe marsin, janë evidentuar gjithësej 10 raste të përdorimit të armëve në ahengje familjare.

“Numri i rasteve të evidentuara të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm (përdorimit të armëve në ahengje familjare) gjatë tre muajve të fundit në Kosovë është 10”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për lajmi.net.

E për të njëjtën arsye, gjatë muajit mars ishte arrestuar edhe ish-kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Genc Meraku, pasi që i njëjti kishte shtënë me armë zjarri në ajër gjatë një feste familjare. Meraku më pas kishte dorëzuar vullnetarisht armën e tij në Polici.

Ndryshe, bujë në mediat e Kosovës ishte shkaktuar kur zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, ishte filmuar duke shtënë me armë zjarri në një aheng në Kosovë, e ku prezent ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj./Lajmi.net/