1.000 dëgjime për 7 dollarë

Përfitimi komercial nga muzika online është njëra ndër temat më të debatuara – si nga artistët, ashtu edhe nga kompanitë muzikore. Spotify, njëri ndër shërbimet më të njohura për transmetimin e muzikës në internet, është kritikuar kohëve të fundit për pagesat e vogla që iu bën artistëve, këngët e të cilëve i ka në ofertë.…

ShowBiz

04/12/2013 21:00

Përfitimi komercial nga muzika online është njëra ndër temat më të debatuara – si nga artistët, ashtu edhe nga kompanitë muzikore.

Spotify, njëri ndër shërbimet më të njohura për transmetimin e muzikës në internet, është kritikuar kohëve të fundit për pagesat e vogla që iu bën artistëve, këngët e të cilëve i ka në ofertë.

Frontmani i grupit Radiohead, Thom Yorke, në korrik të këtij viti i tërhoqi nga Spotify dy albumet e tij, The Eraser dhe AMOK (me Atoms For Peace), në shenjë proteste ndaj pagesave të ulëta, duke e konsideruar këtë si “reagim për hir të kolegëve muziktarë”.

“Mos u gaboni: artistët e rinj që i zbuloni në Spotify nuk do të paguhen”.

Kjo klimë negative e detyroi Spotify ta bëjë publik modelin biznesor me të cilin funksionon.

Kompania ka njoftuar se paguan 0.007 dollarë për secilën këngë që transmeton. Pra, nëse një këngë e juaja dëgjohet 1.000 herë, ju do të fitoni 7 dollarë; nëse dëgjohet 100 mijë herë do të fitoni 700 dollarë; kurse nëse dëgjohet 1 milionë herë, atëherë do të fitoni 7 mijë dollarë.

Prej vitit 2008, kur është themeluar, e deri më tash, Spotify iu ka paguar muziktarëve më shumë se 1 miliardë dollarë.

Nga kjo shumë, 500 milionë janë paguar në vitin 2013.

Prej të hyrave të përgjithshme nga parapagimet dhe reklamat, Spotify mban 30 për qind, kurse 70 për qind iu paguan kompanive diskografike.

Spotify ka përllogaritur se sa mund të fitojnë muziktarët, varësisht nga zhanri të cilit i përkasin.

Për shembull, një album indie, që nuk është produksion i ndonjë kompanie të madhe dhe i cili i dedikohet një publiku më të ngushtë, mund të fitojë 3.300 dollarë në muaj, derisa një album indie që është i popullarizuar fiton 76.000 dollarë.

Secili album i nivelit “Top 10 Albumet e Spotify” fiton 145.000 dollarë në muaj, kurse hitet globale mund të fitojnë 425.000 në muaj. Sivjet, disa artistë kanë fituar nga më shumë se 3 milionë dollarë nga ky shërbim.

Me 6 milionë parapagues në tërë botën, Spotify paguan dyfishin e çmimit të YouTube për një video të shikuar.

A.M.

 

Shërbimet Spotify dhe Shazam i kanë publikuar top listat globale të këngëve më të dëgjuara për vitin 2013.

Spotify

1. Macklemore & Ryan Lewis – Can’t Hold Us

2. Avicii – Wake Me Up

3. Macklemore & Ryan Lewis – Thrift Shop

4. Daft Punk – Get Lucky

5. Imagine Dragons – Radioactive

6. Passenger – Let Her Go

7. Robin Thicke – Blurred Lines

8. P!nk – Just Give Me A Reason

9. The Lumineers – Ho Hey

10. Calvin Harris – I Need Your Love

Shazam

1. Robin Thicke – Blurred Lines

2. Avicii – Wake Me Up

3. Macklemore & Ryan Lewis – Thrift Shop

4. Macklemore & Ryan Lewis – Can’t Hold Us

5. P!nk – Just Give Me A Reason

6. Daft Punk – Get Lucky

7. Rihanna – Stay

8. Lorde – Royals

9. Passenger – Let Her Go

10. Will.I.Am – Scream & Shout