​OVL e UÇK-së: Të krijohet Komision i ri, Prokuroria të mos merret me këtë punë

Pas publikimit të listave të veteranëve mashtrues, ka reaguar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës. Ata kanë kërkuar që të krijohet një Komision i ri dhe të mos merret Prokuroria me këtë. Mirëpo sipas tyre këto lista nuk janë të vlefshme, pasi ka shumë persona që e kanë dëshmuar vetën në luftë dhe emri i tyre është në listat e veteranëve të rrejshëm.

Lajme

17/09/2018 15:37

Organizata e Veteranëve të Luftës përmes një komunikate ka reaguar ndaj publikimit të listave të veteranëve të rrejshëm, që ka dalë së fundmi në media.

Kjo organizatë është shprehur se ka nkurajuar që nga fillimi prokurorinë në punën e saj për pastrimin e listave nga veteranët e rrejshëm të UÇK’së, dhe ka shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojë me organet e drejtësisë.

“Kjo akuzë që ka dalë nga ky hetim me një listë prej mbi 19 000 veteranëve të rrejshëm e që në fakt po dëshmohet se përmbanë shumë lëshime, nuk mund ta qojë këtë proces deri në fund sepse që në fillim ka kompromituar procesin. Prandaj, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës, që të filloj rivlerësimin e gjithë këtij procesi me anë të një Komisioni i cili do të punojë në bazë të kritereve të sakta të përckatuara me ligjin e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Kjo gjë do të ishte më pak e kushtueshme dhe Prokuroria do të lirohet në punën e saj”, thuhet në komunikatë.

OVL nëpërmes kësaj komunikate po kërkon nga Prokuroria Speciale e Kosovës që të sqarojë se si ka ardhë deri te hartimi dhe publikimi I këtyre listave.