​LDK në Rahovec mbajti takimin e fundvitit, prezantohet puna njëvjeçare

Dega e LDK-së në Rahovec sot mbajti një takim fundviti me aktivistë dhe veprimtarë të saj, të cilët ishin të ftuar nga kryetari Avdullah Hoti në një koktej festiv.

Lajme

26/12/2015 16:53

Avdullah Hoti, njëherësh ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës, para të pranishmëve mbajti një fjalim ku prezantoi punën e degës së LDK-së në Rahovec, të katër drejtorive komunale që udhëhiqen nga LDK-ja, si dhe të ministrive që udhëhiqen nga LDK-ja dhe të ministrive të tjera në nivelin qendror të qeverisjes. Po ashtu, ai prezantoi edhe disa prej projekteve të Qeverisë që synohen të realizohen në komunë për vitin 2016.

Sipas komunikatës, dega e LDK – së në Rahovec gjatë vitit 2015 u karakterizua me disa ndryshime dhe me organizimin e një sërë aktiviteteve, ku ndër to vlen të veçohet organizimi dhe mbajtja e Kuvendit të tetë zgjedhor të degës së LDK-së në Rahovec.

“Fillimisht, më 17.05.2015 u mbajt Kuvendi i tetë zgjedhor i Degës së LDK-së në Rahovec, ku u zgjodhën kryetari i ri dhe kryesia e re. Kryetar i ri i kësaj dege u zgjodh Avdullah Hoti. Po në Kuvendin në fjalë u zgjodhën edhe delegatët për Kuvendin e Përgjithshëm të LDK – së, Avdullah Hoti, Sedat Shehu, Rrustem Thaqi, Hatmane Sada, Kujtim Popaj, Shani Mullabazi, Ibish Mazreku, Nahit Elshani, Osman Hasku, dhe Meriton Shala”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, në njërën nga mbledhjet e mbajtura në vazhdim të punës së kryesisë së re, ishte marrë vendim që kryesia të zgjerohej edhe me disa anëtarë të ri, derisa në një mbledhje paraprake ishin formuar grupet e ekspertëve.

“Në njërën prej mbledhjeve të mbajtura në vazhdim të punës së kryesisë së re, konkretisht në atë të mbajtur me 29.07.2015, u vendos që të zgjerohej kryesia edhe me disa anëtarë të tjerë, përfshirë edhe drejtorët e drejtorive komunale që udhëhiqen nga LDK – ja, si dhe u zgjodh një nënkryetar i degës, Sedat Shehu, si dhe sekretari i degës, Burim Krasniqi. Për pozitën e nënkryetarit tjetër u la të vendoset më vonë. Duhet theksu ar se në njërën prej mbledhjeve paraprake janë formuar edhe Grupet e ekspertëve, të cilët herë pas here kanë raportuar në kryesi, lidhur me aktivitetet që janë mbajtur nga aktivistët e LDK-së në lëmi të ndryshme, përfshirë arsimin, shëndetësinë.”

Aktivitete të tjera në kuadër të degës së LDK-së në Rahovec ka mbajtur edhe Forumi Rinor, siç ishte konferenca “Luftimi i korrupsionit dhe forcimi i zhvillimit ekonomik, Forumi i Gruas etj. /Kp