​Kozarev: Ligji për Trepçën, sulm ndaj pasurisë së Serbisë dhe ndryshim i strukturës etnike

Çdo vendim rreth statusit ligjor të Trepçës pa marrëveshje edhe me serbët e konsiderojmë si të pavlerë dhe të parealizueshme.

Lajme

08/10/2016 16:31

Me këtë vendim është dërguar porosia më e keqe e mundshme për palën serbe, thjeshtë se ata nuk ekzistojnë. Përkundër kësaj, do të provojmë që të vazhdojmë me punë dhe prodhim në këtë fabrikë deri tek dalja nga kjo situatë e vështirë.

Kështu u tha mes tjerash gjatë një konference për media të mbajtur nga menaxhmenti i shkritores ‘Trepça’ në veri, ku ka marrë pjesë edhe zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Dushan Kozarev.

Drejtori i Trepçës në veri, Jovan Dimkiq, tha se do të bëjë gjithçka që është e mundur që puna e deritashme në këtë kombinat të mos dështojë.

“Si menaxhment dhe sindikatë me siguri që do të bëjmë gjithçka që është e mundur që puna jonë shumëvjeçare të mos dështojë pa asnjë arsye dhe pa ndonjë përgjegjësi nga ana jonë. Megjithatë do të përpiqemi që mos të ndalojmë me forcat tona të rregullta. Forca jonë nuk është në qëndrimet dhe argumentet politike, por forca jonë është fuqi ekonomike. Me këtë riorganizim komplet modeli ynë i tanishëm i funksionimit po shkatërrohet. Menaxhmenti dhe sindikata jonë nuk janë të gatshme për një shkatërrim të tillë. Prandaj ky ligj është i paqëndrueshëm për ne”, ka thënë Dimkiq.

Në anën tjetër, Dushan Kozarev, zëvendësdrejtor i Zyrës për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, ka potencuar se prezenca e tij sot këtu dëshmon qartë mbështetjen e Qeverisë së Serbisë ndaj popullatës serbe në Kosovë. Sipas tij, Ligji i miratuar për Trepçën ka për synim të sulmojë pasurinë e Serbisë dhe ndryshimin e strukturës etnike në këto hapësira. “Ky ligj ka për synim sulmin e pasurisë të Serbisë dhe ndryshimin e strukturës etnike në këto hapësira… Qeveria serbe e konsideron Trepçën si pasuri të Republikës së Serbisë dhe bënë thirrje qytetarëve të Kosovës, punëtorëve të Trepçës, qytetarëve lojalë të Republikës së Serbisë në këto hapësira, se nuk duhet të brengosen rreth gjetjes së një zgjidhje të qetë”, theksoi Kozarev.