​Hoti: Realizuam 63 milionë euro më shumë të hyra gjatë periudhës janar-prill

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka mbledhur 63 milionë euro më shumë se vitin e kaluar gjatë periudhës janar-prill 2016.

Lajme

24/05/2016 11:51

Sipas Hotit, gjatë kësaj periudhe kohore, të hyrat në Doganë janë rritur për 22.5 për qind, ndërsa në Administratën Tatimore të Kosovës për 7.1 për qind.

Hoti, në Facebook ka thënë se rritja vjen si rezultat i masave të ndërmarra nga Dogana dhe ATK për ngushtimin e hendekut tatimor, si dhe nga aktiviteti i shtuar ekonomik.

Shënimi i plotë i Hotit:

Gjatë periudhës Janar-Prill 2016, mblidhen 63 mil euro më shumë se vitin e kaluar

Gjatë periudhës Janar-Prill 2016, të hyrat në Doganë u rritën me 22.5% ndërkaq në ATK me 7.1%. Në total, janë mbledhur 63.3 mil euro më shumë se vitin e kaluar. Kjo rritje vjen si rezultat i masave të ndërmarra nga Dogana dhe ATK për ngushtimin e hendekut tatimor dhe nga aktiviteti i shtuar ekonomik në vend. Të dhënat tregojnë se kemi pasur rritje të vlerës dhe sasisë së importit, që reflektojnë rritjen e kërkesës agregate në vend. Rritja e të hyrave të ATK-së ka ardhur nga rritja e tatimit në korporata për kompanitë e mëdha. Përgëzoj punën e të gjithë zyrtarëve doganorë dhe tatimorë. Në veçanti, përgëzoj ekipet antikontrabandë që me përkushtim janë duke i mbyllur mundësitë e kontrabandës dhe evazionit fiskal.