​Dhurohen 250 libra për shkollën “Gjon Serreçi”

Veprimtari ferizajas Ahmet Hyseni-Petrova i ka dhuruar të martën 250 libra SHFMU "Gjon Serreçi" të Ferizajt. Kjo është hera e dytë që ky biznesmen ferizajas i njohur edhe për kontributin në fushën e sportit, dhuron libra për shkollat e Ferizajt.

Lajme

23/06/2015 20:12

Kohë më parë një sasi të njëjte të librave i kishte dhuruar edhe shkollës “Jeronim de Rada”. Por, kësaj radhe siç thotë e ka pasur një arsye të veçantë ngase këtë po e bënë për nderë të bashkëshortes së tij të ndjerë, e cila me vite të tëra kishte dhënë kontribut të çmuar në edukimin e nxënësve të kësaj shkolle.

“Kësaj radhe kam dhuruar rreth 250 libra prej të cilave disa janë ndarë nga komuna për nxënësit më të dalluar. Falënderoi me këtë rast mikun tim, Bardh Frangun, i cili ka bërë përzgjedhjen e librave të cilat do të jenë pjesë e bibliotekës së kësaj shkolle”, theksoi Ahmet Hysenaj-Petrova.

E në anën tjetër këtë gjest të këtij njeriu të vullnetit të mirë e kanë vlerësuar edhe drejtuesit e arsimit ferizajas

“Ndihma që sot po jep zoti Hysenaj është e mirëseardhur për nxënësit dhe kjo nuk është kjo hera e parë që ai po ndihmon bibliotekat e shkollave. Donacioni kësaj radhë është me rreth 250 tituj të cilët pritet të jenë të mirëseardhur për nxënësit”, theksoi, Sami Vranovci zyrtarë në DK- në e Ferizajt.

Këtë gjest të Ahmet Hysenajt e ka vlerësuar lartë edhe publicisti ferizajas Bardh Frangu, i cili edhe kishte bërë përzgjedhjen e titujve që do ti jepeshin si donacion kësaj shkolle.

“Është një donacion shumë me vlerë nga ana e Hysenaj. Këtu përfshihen tituj të cilët deri më tani nuk gjendeshin në bibliotekën e shkollës. Kryesisht janë vepra të shkrimtarëve botërorë të cilët janë edhe interesant për fëmijët dhe lexohen me ëndje. Nga praktika e mëhershme në shkollën “Jeronim de Rada” kemi parë se këta tituj janë ata të cilët kanë zgjuar interesim dhe siç thuhet lexohen me një frymë nga nxënësit”, tha Bardh Frangu.

Mësimdhënës në këtë shkollë kanë falënderuar donatorin për këtë dhuratë shkollës më shpresë që kjo të jetë edhe si shembull edhe për të tjerët që të ndjekin këtë shembull dhe të kontribuojnë që fëmijëve tu ofrohet më shumë mundësi për lexim.

Ndryshe, Ahmet Hyseni-Petrova, njihet edhe si sportdashës, ai qe shumë vite po qëndron në krye të klubit të hendbollit të vashave “Kastrioti”, duke bartë barrën financiare të klubit, e që sukseset asnjëherë nuk po i mungojnë si në garat vendore ashtu edhe në ato ndërkombëtare