​BE në takim urgjent për çështjen e fluksit të emigrantëve

Bashkimi Evropian u shpreh sot se është shumë i prekur nga mbytja e një anijeje që transportonte emigrantë në Mesdhe, ku mendohet se kanë vdekur rreth 700 persona, dhe shpalli organizimin urgjent te një takimi të ministrave të Punëve të Jashtme për marrjen e masave.

Bota

19/04/2015 19:52

“Jetët njerëzore janë në lojë, Bashkimi Evropian në tërësinë e tij ka detyrimin moral dhe humanitar që të veprojë”, reagoi Komisioni Evropian, që po përgatit një strategji të re mbi imigrimin që do të miratohet në mes të majit.

“Por më shumë se sa kjo strategji, nevojiten masa të menjëhershme. Për sa kohë që vendet e origjinës dhe vendet tranzit nuk do të marrin masa për të evituar këto kalime të dëshpëruara, do të ketë njerëz që vendosin jetët e tyre në rrezik. Një pjesë e madhe e punës tonë ka të bëjë me një bashkëpunim me vendet e botës së tretë”, theksoi ekzekutivi evropian.

Një peshkarexhë me 700 emigrantë në bord u mbyt përgjatë natës së kaluar në Kanalin e Siçilias, rreth 60 milje në veri të Libisë. Në ndërkohë, një anije tregtare e gjendur pranë zonës, ka arritur të shpëtojë vetëm 28 persona. Mendohet se të tjerët janë mbytur. Sipas informacioneve të para, peshkarexha ka kërkuar ndihmë nga Roja Bregdetare italiane për vështirësi në lundrim.