​Arrestohen katër adoleshentë, vodhën edhe kishën

Policia e Lezhës ka arrestuar katër persona, të akuzuar se kanë kryer vjedhje në bashkëpunim. A.K, G.Gj, K.V, E.L, të gjithë adoleshentë, dyshohen të kenë vjedhur në kishë, banesa e lokale të ndryshme në zonën e Ishull-Lezhës.

Lajme

22/02/2016 20:14

Ndalimi i këtyre shtetasve është bërë pasi në bashkëpunim me njëri – tjetrin dyshohen se kanë kryer këto vjedhje:

Me date 22.02.2016, dyshohet se kanë kryer vjedhjen e Kishës Ishull-Lezhë ku kanë marrë nje pompë uji, një fotokopje e markës Samsung si dhe një pjesë kabulli ndriçimi me gjatësi rreth 50 metra lineare. Më datë 21.02.2016, dyshohet se kanë kryer vjedhjet e banesave të shtetasve M.Gj. dhe Gj.Gj. banues në Ishull – Lezhë, të cilët janë emigrantë.

Me 12.10.2015, dyshohet se kanë vjedhur me thyerje lokalin-parukeri, në pronësi të shtetases F.Gj. 35 vjeçare, banuese në Ishull Lezhë, ku kanë marrë një makinë qethëse me vlerë 3000 (tre mijë) lekë dhe një shumë prej 1500 (njëmijë e pesëqind) lekë. Ndërsa me datë 24.10.2015, dyshohet se kanë vjedhur me thyerje një bar restorant në Ishull -Lezhë, në pronësi të shtetases Gj.K. 52 vjeçe, ku kanë marrë mallra(pije freskuese dhe alkoolike) me vlerë 30.000 lekë.

Dhe, me datë 25.10.2015, dyshohet se kanë kryer vjedhjen e Kishës Ungjillore në Ishull Lezhë, ku kanë marrë një pajisje elektronike mikser muzike e markës Jamaha me vlerë 400 Euro dhe një projektor i markës Acer me vlerë 300 Paund.

Materialet I kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale ”Vjedhje” e kryer në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 134/2 të Kodit Penal.