​AAK arrestimin e Pal Lekajt e quan politik dhe tentim për frikësim

Pas arrestimit të Pal Lekajt në Kuvendin e Kosovës, përmes një komunikate për shtyp ka reaguar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Lajme

14/12/2015 14:37

AAK arrestimin për të dytën herë të Lekajt e ka quajtur politik dhe tentim për frikësim të tij. Sipas AAK-së, opozita do ta mbijetojë dhunën e pushtetit sepse e ka mbështetjen e popullit, ndërsa ata që e përdorin pushtetin për interesa personale do të përfundojnë të turpëruar.

Më poshtë gjeni reagimin e plotë të AAK-së:

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, aktualisht ushtrues detyre i shefit të grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, pas përjashtimit nga séance e sotme plenare, dhe me të dalë nga ndërtesa e Kuvendit, është marrë nga policia e Kosovës. Është hera e dytë që deputeti Lekaj, bëhët cak i arrestimit politik, me qëllim të frikësimit të tij, për cfarë policia e Kosovës, ditë më parë ia kishte arrestuar edhe djalin dhe po i a mban në paraburgim. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i dënon ashpër aksionet politike të policisë kundër deputetëve dhe familjarëve të tyre, dhe bën më dije se nuk ka forcë që e mposhtë dhe e zbrapsë këtë parti, nga kauza e saj e drejt për mbrojtjen e kushtetututës dhe të integritetit territorial të vendit. Kriza politike nuk zgjidhet me polici por me mjete politike. Ata që po e përdorin pushtetin për interesa përsonale, do të përfundojnë më turp. Opozita do ta mbijetojë dhunën e pushtetit, sepse e ka mbështetjen e popullit.